E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon kreu i PBLD, Arjan Starova

“Opozita kërkon të njollosë përpjekjet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira” 

Partia Bashkimi Liberal Demokrat e ka konsideruar dje abuzive fushatën propagandistike të Partisë Socialiste, që “synon të njollosë përpjekjet shumë serioze të qeverisë në realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. Kryetari i Bashkimit Liberal Demokrat, Arjan Starova tha të martën në një konference për shtyp se gjuha e ultimatumeve e përdorur nga opozita  “nuk përputhet me përvojën e gjatë të sjelljes politike të partive në sistemet shoqërore  demokratike të hapësirës Euroatlantike”. 

Starova kujtoi se “kjo lloj gjuhe të kujton politikën e vjetër të Partisë Socialiste të vitit 1997, e cila e çoi vendin në prag të luftës qytetare, dhe që është në kundërshti të hapur me bashkëpunimin e vlerësuar ndërpartiak”. Kryetari i BLD-së theksoi se “Është e pamoralshme të mendohet se qeveria që drejton me sukses vendin prej më se tre vitesh, të jetë e interesuar të prishë normalitetin e procesit zgjedhor të 28 qershorit”, duke kujtuar se qeveria është shumë më e interesuar se opozita që zgjedhjeve 28 qershorit të jenë të lira dhe të ndershme. 

Starova i ka konsideruar qëndrimet e opozitës si të qëllimshme, duke dashur të prishin procesin zgjedhor. Sipas tij “arsyet e dukshme të këtij qëndrimi të papërgjegjshëm  janë mungesa e alternativave të qarta për fushatën zgjedhore, dhe parashikimi i humbjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme”. Pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, Starova e konsideroi si “një përgjegjësi jo vetëm e qeverisë, por edhe e opozitës, sepse një pjesë e mirë e njësive bashkiake dhe e komunave qeveriset nga socialistët”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›