E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon Kryeministrin kroat Sanader.

  Në një kohë kur mbetet vetëm një muaj nga samiti i NATO-s, ku Kroacia dhe Shqipëria pritet të përjetojnë ngjarjen e madhe historike të anëtarësimit në Alenacën e Veriut, Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga dy bashkëkryetarët e komisionit ad-hoc për NATO-n, Ferdiant Xhaferri dhe Pandeli Majko mbërrin në Kroaci e ftuar nga Kryetari i Parlamentit Luka Bebiç.   Kjo vizitë e Kryetares së Kuvendit vjen në një moment kyç kur  parlamentet e 26 vendeve anëtare të NATO-s, kanë përbyllur në një kohë rekord ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Kroacisë dhe Shqipërisë.   Gjatë vizitës së saj në Zagreb, Kryetarja e Kuvendit, u prit përzemërsisht në selinë e Qeverisë nga Kryeministri Ivo Sanader.   Një arritje historike për Kroacinë dhe Shqipërinë e cilësoi Kryeministri Sanader Samitin e ardhshëm të NATO-s, ku pritet edhe anëtarësmi i dy vendeve në Alenacën e Veriut.   Është një moment kulmor në historinë tonë, tha zoti Sanader. Besoj se ne do të kapërcejmë së shpejti problemet e momentit dhe do të festojmë së bashku 60 vjetorin e NATO-s dhe anëtarësimin tonë me të drejta të plota në këtë aleancë.Pas kësaj arritjeje, do të jetë edhe më e lehtë rruga drejt Bashkimit Europian. Delegacionet e Kroacisë dhe Shqipërisë do të jenë bashkë në Strasburg dhe Kelh, tha Kryetarja e Kuvendit. Bashkëpunimi ynë pas kësaj ngjarje të jashtëzakonshme do të kalojë në një stad të ri dhe ndihemi shumë mirë që do të jemi partnerë në sfidat e reja të sigurisë rajonale, por edhe globale.
Konkrete dhe me piketa të qarta vijoi biseda mes Kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit Sanader veçanërisht përsa i përket bashkëpunimit ekonomik, duke u fokusuar në sektorin e energjisë. Kryeministri Sanader e njohu Kryetaren e Kuvendit me ecurinë e bisedës së bërë edhe me Kryeministrin Berisha gjatë vizitës së tij pak javë më parë në Kroaci.   Kam patur rastin që pas bisedës me Kryeministrin Berisha të bisedoj edhe me Kryeministrin turk Erdogan përsa i përket shtrirjes së gazsjellësit Trans Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. Kemi përcaktuar takime të ministrave të energjitikës në Ankara e më pas edhe në Shqipëri dhe jemi optimist që ky projekte madhor në fushën e energjitikës do të konkretizohet shumë shpejt. Lidhur me çështjen e regjimit të vizave Kryeministri Sanader konfirmoi se Kroacia do të liberalizojë lëvizjen pa viza me Shqipërinë brenda këtij viti. Kjo do të sillte jo vetëm lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, shkëmbimeve tregtare, etj.
Është objektiv i yni politik dhe do të realizojmë theksoi ai. Biseda më tej u fokusua edhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit veçanërisht pas anëtarësimit në NATO, kur për të dy vendet do të hapet një epokë e re me sfida dhe përgjegjësi të reja.   Çështjet e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të politikës së jashtme mes Kroacisë dhe shqipërisë  ishin fokus i takimit që Kryetarja e Kuvendit dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi me Ministrin e punëve të jashtme të Kroacisë, Gordan Jandrokoviç.   Duke u ndalur në procesin e integrimit në BE, Kryetarja e Kuvendit tha se fakti që Kroacia është në prag të Marrëveshjes së anëtarësimit në BE, është një ngjarje e madhe jo vetëm për Kroacinë, por edhe për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit. Çdo hap që një vend i Ballkanit bën drejt BE-së është një inkurajim i madh për të gjitha vende e rajonit, tha ajo, pasi Kroacia ka qenë një lokomotivë rajonale në procet integruese.   Dy vendet tona tha zoti Jandrokoviç janë tashmë më afër njëri tjetrit dhe po ecin së bashku në proceset integruese. Ne ndajmë të njëjtat objektiva në politikën tonë të jashtme dhe pas samitit të 60 vjetorit të NATOs ku presim të anëtarësohemi do të jemi të gatshëm të ofrojmë përvojën tonë në rrugën drejt BE-së.   Më tej biseda u ndal edhe në situatën rajonale, duke theksuar faktin se Ballkani Perëndimor ka kapërcyer problemet e të kaluarës dhe tashmë realiteti është e ardhmja euro-atlantike e tij.
                                                                         
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›