E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon Kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Greqi-Shqipëri. Tryfonidis: Shqipëria në NATO sjell stabilitet të demokracisë në rajon.

 


 Kryetarja e  Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim Kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Greqi-Shqipëri, një prej politikanëve të mirënjojhur në jetën politike greke, zotin Georgios Tryfonidis.
 
Ndihem shumë mirë, u shpreh ai,  që ndodhem në Shqipëri në këtë moment të rëndësishëm pas ratifikimit nga parlamenti i Greqisë i protokollit të antarësimit të Shqipërisë në NATO.  Tashmë, pas përfundimit të këtij procesi, unë ndihem  shumë i lumtur që së shpejti Shqipëria do të jetë pjesë e NATO-s dhe që në këtë  pjesë të Europës stabilizohet demokracia. Janë shumë gjëra që na bashkojnë si vende fqinj dhe ne do të jemi krah jush partnerë edhe në BE.
 
Pas mbylljes së ratifikimeve të MSA dhe protokollit të NATO-s, tha Kryetarja e Kuvendit, Shqipëria ndodhet në një fillim të ri. Në këtë fazë shkëmbimi i përvojës mes parlamenteve është shumë i rëndësishëm, ndaj dhe ne e vlerësojmë  shumë mbështetjen e Greqisë si një vend partner. Tashmë, pas NATO-s prioritet i ynë është integrimi europian dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.

Zoti Tryfonidis i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet nga Kryetari i parlamentit të Greqisë, Dimitros Siuofas.

Një grua në krye të Kuvendit të Shqipërisë u shpreh ai, është symbol i qartë i zhvillimit të demokracisë. Bashkëpunimi parlamentar është shumë i nevojshëm dhe më vjen mirë që jemi në  një kohë intensifikimi të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Biseda më tej u ndal gjerësisht në intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimet tregtare dhe në bashkëpunimin në projektet e mëdha, kryesisht infrastrukturore.
 
Në një kohë kur Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë dhe tendenca e shkëmbimeve ekonomike është gjithnjë në rritje, biseda u fokusua në bashkëpunimin konkret në fushat e energjisë, infrastrukturës, transportit etj.
 
Ekonomia, tha zoti Tryfonidis është një urë e fortë që lidh dy vendet dhe ne duhet ta forcojmë këtë bashkëpunim. Në Greqi ka shumë shqiptarë që kanë tashmë bizneset e tyre e që i shërbejnë kështu ekonomisë së të dy vendeve.
 
Kryetarja e Kuvendit falendëroi zotin Tryfonidis për gadishmërinë e ofruar për nxitjen e bashkëpunimit në projekte konkrete dhe i përcolli përmes tij, Kryetarit të parlamentit të Greqisë Siuofas përshëndetjet dhe ftesën për të ardhur në një vizitë zyrtare në Shqipëri në një kohë sa më të afërt.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›