E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon Patriarkun e Aleksandrisë, Theodhori II.

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim personalitetin e lartë të Kishës Ortodokse, Patriarkun e Aleksandrisë, Theodhori II.
Vizita e Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhori II, është cilësuar si historike pasi shënon vizitën e parë të këtij niveli në Shqipëri.   Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë  Patriarku i Aleksandrisë bëri përgëzimet e tij për progresin e arritur nga Shqipëria.   Ju përgëzoj për hapat e mëdha që Shqipëria ka bërë tha Primati i Kishës aleksandriane, dhe gjithashtu jam i lumtur që takohem me ju, pasi personaliteti juaj është tepër i njohur për veprimtarinë aktive në këto vite.   Kryetarja e Kuvendit pasi u shpreh se ndihet e nderuar që pret në këtë vizitë të parë një personalitet kaq të lartë të Kishës Ortodokse, u ndal në marrëdhëniet mes besimeve fetare në Shqipëri.   Kryetarja e Kuvendit theksoi se harmonia dhe toleranca mes feve në vendin tonë është një thesar i rrallë, që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend model për të tjerët. Kjo harmoni është një aset i yni, tha ajo, dhe ne ndihemi krenarë për këtë vlerë të çmuar.   Zonja Jozefina Topalli vlerësoi kontributin e Kishës ordodokse në Shqipëri dhe rolin e veçantë të Kryepeshkopit Anastas, jo vetëm për punën e tij në përçimin e vlerave humane, por edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me përfaqësuesit e besimeve të tjera fetare.   Duke u ndalur në misionin e Patriarkut të Aleksandrisë në Afrikë, Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi si një sfidë të jashtëzakonshme dhe e cilësoi historik kontributin e tij personal, por edhe të përfaqësuesve të Kishës ortodokse për ndihmën, mbështetjen dhe gjithë dashurinë që ata falin për popullin e Afrikës, vend i cili siç u shpreh edhe Patriarku i Aleksandrisë, po gjen rrugën e vet të zhvillimit.   Shqipëria, tha Kryetarja e  Kuvendit është  bërë anëtare e Asamblesë së Mesdheut, gjë që na ka dhënë mundësinë të njihemi edhe me krerët e vendeve të Afrikës dhe të bashkëpunojmë proporcionalisht me njëri-tjetrin në sfidat e problemeve të politikës globale.   Në këtë vizitë të tij Patriarku i Aleksandrisë, Theodhori II, shoqërohej nga  Hirësia e Tij, Mitropoliti i Kampalës dhe Eksarku i gjithë Ugandës, Jonai, dhe nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos.   Patriarku i Aleksandrisë la shënimin e tij në Librin e Shënimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe shprehu dëshirën për një vizitë të  Kryetares së Kuvendit në Aleksandri.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›