Kryetarja e Kuvendit takon nënkryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Pirinski Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ish-Kryetari i Parlamentit të Bullgarisë, Georgi Pirinski

Pas takimit në Sofje, ditën e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO, nga parlamenti bullgar, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ish-Kryetari i Parlamentit të Bullgarisë, Georgi Pirinski, ritakohen në Tiranë në një realitet të ri. Shqipëria tashmë është prej një viti anëtare e NATO-s, është pranë vendimit për heqjen e vizave, ka dorëzuar përgjigjet e pyetësorit të KE-së, dhe pret opinionin e Këshillit për statusin e vendit kandidat. Tashmë si nënkryetar i parlamentit bullgar, Pirinski i përcolli Kryetares së Kuvendit vijimin e përkrahjes miqësore për arritjen e ambicieve integruese të Shqipërisë. Ata ndanë mendimin se Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende ballkanike që gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, do të ngrenë në nivele edhe më të larta bashkëpunimin politik, parlamentar dhe ekonomik. Duke folur për situatën në Shqipëri, Topalli tha se vendi po përjeton një dinamikë të re në historinë e tij të integrimit. “Janë kohëra, kur opozita duhet të shohë përtej axhendës personale të dikujt e të marrë rolin e vet duke kontribuar në realizimin e aspiratave të shqiptarëve”, u shpreh kryeparlamentarja. Sipas saj, shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur dhe ne po bëjmë të gjitha përpjekjet përmes reformave, ligjeve dhe lobimit me vendet e BE-së për lëvizjen e lirë dhe ribashkimin në familjen evropiane.