E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli:Opozita të kontribuojë për integrimin

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka pritur sot në një takim ish-kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë Georgi Pirinski, duke theksuar se vendi po përjeton një dinamikë të re në historinë e tij të integrimit.
"Në parlament po vijojmë të punojmë fort për miratimin sa më shpejt të të gjitha ligjeve, detyrim për heqjen e vizave dhe përshpejtim të rrugës drejt BE-së", tha Topalli.

Sipas saj, janë "kohëra, kur opozita duhet të shohë përtej axhendës personale të dikujt e të marrë rolin e vet duke kontribuar në realizimin e aspiratave të shqiptarëve". "Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur dhe ne po bëjmë të gjitha përpjekjet përmes reformave, ligjeve dhe lobimit me vendet e BE-së për lëvizjen e lirë dhe ribashkimin në familjen evropiane", vijoi Topalli.

Gjatë takimit, dy personalitetet ndanë mendimin se Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende ballkanike që gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, do të ngrenë në nivele edhe më të larta bashkëpunimin politik, parlamentar dhe ekonomik.

"Ndaj dhe jemi optimistë se brenda vitit shqiptarët do të dalin nga izolimi e do të lëvizin pa viza në Evropë, e po ashtu, ata do të jenë së shpejti, ashtu siç janë anëtarë të NATO-s, edhe anëtarë të familjes me të cilën ndajnë vlera të përbashkëta, Bashkimit Evropian", u shpreh Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›