E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyrja ne kohe e miratimit te ligjeve kauza e re e Partise Socialiste

Pas kërkesës për ta shtyrë heqjen e imunitetit për në shtator, me të njëjtën frymë opozita u paraqit edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, teksa kërkoi të shtynte shqyrtimin e ndryshimeve që qeveria ka propozuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë.  Nënkryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafa tha se ligji është i rëndësishëm dhe se opozitës i duhej kohë për t’u njohur me të, dhe se po ashtu duhet kohë edhe për zhvillimin e seancave dëgjimore. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali kërkoi që socialistët të ishin të qartë në atë çfarë kërkonin: të sqaronin, siç ai u shpreh, nëse koha e përshtatshme për ta ishte brenda këtij sesioni, pasi Shqipëria të marrë në vjeshtë përgjigjen për statusin e kandidatit apo pas janarit kur Gjykata Administrative duhet vënë në funksion. Sidoqoftë ministria e Drejtësisë do të vërë në dispozicion të opozitës çdo informacion të kërkuar brenda ditës së sotme, ndërsa nesër paradite pritet të dëgjohet kryetarja e Gjykatës së Lartë, nëse zonja Beçaj, do të jetë e gatshme të paraqitet në komision. Me ndryshimin e ligjit të Gjykatës së Lartë trupa e saj shtohet me dy anëtarë. Të 19 anëtarët do të punojnë në tre dhoma, penale, civile dhe administrative. Vendimet për disa çështje do të merren jo më me 5, por me 3 gjyqtarë. Kriteret e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe kandidimi i tyre është i mirëpërcaktuar dhe transparent, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Të bëhesh anëtar i Gjyaktës së Lartë me ligjin e ri do të kalosh patjetër dhjetë vite punë në shkallën e parë dhe 5 vite të tjera në apel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›