E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetatimori në gjyq për çështjen Remzi Hoxha

Dosja për rrëmbimin gati 13 vjet më parë të ish-aktivistit të UÇK-së çon para drejtësisë kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, Arben Sefgjinin dhe 3 ish-vartës të tij në SHIK. Raporti sekret i ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosi flet për të tjerë të implikuar, mes tyre dhe kunati i Bashkim Gazidedes

TIRANE – Gati 13 vjet pas zhdukjes së Remzi Hoxhës, Prokuroria e Krimeve të Rënda pranon implikimin e Shërbimit Informativ Kombëtar në ngjarjen e bujshme të 21 tetorit të vitit 1995, kur u rrëmbye dhe u zhduk Remzi Hoxha. Katër persona, emrat e të cilëve aspak të panjohur, janë lakuar zyrtarisht si personat përgjegjës për fatin tragjik të biznesmenit kosovar. Drejtori i tanishëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe ish-drejtori i SHIK-ut të asaj kohe, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në SHIK, Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit, Budjon Meçe ish-inspektor në SHIK-un e asaj kohe, janë tashmë pjesë e dosjes hetimore që organi i akuzës së Krimeve të Rënda e ka kaluar në dorë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Kjo e fundit, me dosjen e kompletuar dhe faktet e pakundërshtueshme, do të nisë një proces hetimor ndaj katër të akuzuarve, të cilët në vitin 2003 ishin shpallur të pafajshëm, mes tyre Sefgjini i dëmshpërblyer për burgim të padrejtë. Edhe pse akuzat ndaj tyre konsiderohen si vepra të rënda penale, “rrëmbim personi” dhe “torturë me pasoja të rënda”, bëhet e ditur se Sefgjini, Koldashi, Kumbaro e Meçe do të hetohen në gjendje të lirë.

Por në fakt, megjithëse katër ish zyrtarët e dikurshëm të SHIK-ut tashmë duhet të ripërballen me akuzat e drejtësisë, në arkivën e SHISH-it të sotëm, Avokatit të popullit dhe në dosjen hetimore,  gjendet një letër e ish-kryetarit të SHISH-ut Fatos Klosi ku thuhet se të tjerë persona janë përmendur gjatë gjithë këtyre viteve në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Disa persona me iniciale e disa të tjerë me emra konkretë përmendën gjatë letrës. Shkak për raportin e ish-kreut të SHIK është bërë një iniciativë e Avokatit të Popullit Ermir Dobjani, i cili në 3 korrik 2002 i kërkoi Shërbimit Informativ të hartonte një raport të hollësishëm dhe të detajuar për rastin e Remzi Hoxhës. Katër javë më pas, më 31 korrik 2002, Klosi firmos raportin e klasifikuar sekret shtetëror. Kjo ishte hera e parë që në rrugë zyrtare dilte implikimi i institucionit shtetëror. Në letër thuhet se në rrëmbimin dhe keqtrajtimin e Remzi Hoxhës, kanë marrë pjesë Avni Koldashi, liruar nga SHIK-u me kërkesën e vet në vitin 1998, aktualisht me banim në Tiranë, Ilir Kumbaro, liruar nga SHIK në vitin 1996, me banim në Londër (Angli), Budion Meçe, i liruar në shtator të vitit 1997, me banim në Tiranë, Arben Sefgjini, i liruar në vitin 1997, me banim në Tiranë, Bexhet Muhellari, ish-inspektor i zonës ku ka banuar Remziu, i liruar në vitin 1997, me banim në Laprakë (për Bexhetin, pjesëmarrja e tij në këto veprime del vetëm nga një burim) Roland Dedej, ish-shofer i Ilir Kumbaros, rezulton të ketë marrë pjesë në veprimet ndaj tre personave të rrëmbyer. Po ashtu, dyshohet të kenë marrë pjesë edhe Xhahit Xhaferri si dhe të ketë dijeni ish-zv/drejtori i kundërzbulimit Flamur Gjymyshka kunat i Bashkim Gazidedes.

Zhdukja

Edhe atë 21 tetor të vitit 1995, Remzi Hoxha ishte duke kryer ritualin e përditshëm të punës. Në punishten e duraluminit “Albatros”, ku ishte pronar, në rrugën "Siri Kodra", në Tiranë, ai ishte duke drejtuar punimet për disa dyer e dritare të porositura ditë më parë. Por, në orën 13.30, tre persona e kërkojnë për një sqarim. E fusin në një makinë, me targën TR 2449 C, dhe që nga ai moment Remzi Hoxha nuk është parë më. Familjarët që e kërkuan menjëherë mësuan të vetmen të vërtetë: që ata e kishin marrë punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, por se ku ishte ai nuk morën ndonjë përgjigje. Dhe pyetja torturuese se ku ndodhet Remzi Hoxha vazhdon të qëndrojë edhe sot mbi kokat e tyre. I vetmi version i mbetur është se ai ka vdekur nga të rrahurat. Pas tetë vjetësh, Prokuroria e Përgjithshme ndërmori një rihetim të çështjes dhe arrestoi tre punonjës të SHIK, mes tyre edhe kryetarin Arben Sefgjini. Megjithatë, edhe hetimet e reja nuk kanë zbuluar ende ngjarjen misterioze. Ndërsa gruaja dhe vëllezërit e tij kanë vetëm një ngushëllim: të paktën të gjejnë eshtrat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›