E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tu pritet gjuha

Policia e Ndërtimit, luftë antenave televizive. Në një Shqipëri ku mbizotëron rregulli e qetësia, antenat e televizioneve të pavarura janë shqetësimi madhor i qeverisë

TIRANË – Pas gati 8 orësh presione, pasditen e djeshme forca të Inspektoriatit të Policisë Ndërtimore të degës së Tiranës me në krye vetë drejtuesin e saj Xhavid Aliçkaj dhe me një fadromë të marrë borxh u vërsulën të shembnin përdhe antenën e televizionit të pavarur “Vizion Plus”. Shkak për veprimin e paprecedent karshi një mediumi u bë një urdhër i dalë nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit për heqjen e antenave transmetuese në malin Dajtit, për shkak të mungesës së lejes së ndërtimit. Pas një lufte të “ftohtë”, Inspektoriati u tërhoq, të paktën deri të hënën e javës së ardhshme, kohë kur “premtoi se do t’u rikthehet përleshjeve donkishoteske me antenat dhe se do ia tregojë vendin” me këtë rast antenës së televizionit të njohur “Vizion Plus”.

Sulmi

Paraditen e djeshme, rreth orës 11, efektivë të Inspektoriatit të Policisë Ndërtimore iu ngjitën të përpjetës në malin e Dajtit, pikërisht aty ku janë të vendosura prej gati më shumë se 10 vitesh antenat e televizioneve të ndryshme kombëtare dhe lokale. Sulmi mësohet se u bë direkt me antenën e “Vizion Plus”. Me justifikimin se po kapej në flagrancë si ndërtim pa leje, pasi antena e re e televizionin “Vizion Plus”, ende nuk ka mbaruar së ndërtuari për shkak të një urdhër-pezullimi të ndërtimit të saj të lëshuar më parë nga ky Inspektoriat, punonjësit e degës së Tiranës të Inspektoriatit të Policisë Ndërtimore, nisën presionet për heqjen e antenës. Mungesa fillimisht e një fadrome si dhe fakti se “ekspertët” ndërtimorë nuk dinin as nga duhej që t’ia nisnin punës për zbërthimin e antenës solli që situata të zgjatej deri në orët e vona të pasdites së djeshme, kur gjithsesi nuk u arrit që të vihej dorë mbi antenën. Punonjësit e Inspektoriatit të Policisë Ndërtimore, fillimisht ishin pa fadromë dhe vetëm rreth pasdites, kur nuk kishin ngurruar të gjenin një fadromë borxh sa për të kryer sulmin ndaj “Vizion Plus”, situata është bërë më e nderë dhe tonet mes palëve që gjatë gjithë kohës u mbulua me transmetim direkt nga televizioni “Vizion Plus” janë ashpërsuar. Megjithëse punonjësit dhe kreu i degës së Inspektoriatit të Policisë Ndërtimore këmbëngulën në faktin se ata donin të prishnin pikërisht antenën e televizionit “Vizion Plus”, dhe jo ndonjë tjetër për faktin se antena në fjalë konsiderohej e kapur në flagrancë si ndërtim pa leje, për këdo që ndoqi pamjet dhe intervistat direkte të bëra nga gazetarët me të gjithë “aktorët” e sulmit, përsëri pat një “shije” së zgjedhja e fillimit të sulmit mbi median, jo rastësisht nisi me televizionin “Vizion Plus” i njohur për vërtetësinë, korrektësinë dhe përgjegjshmërinë e tij maksimale në përcjelljen e informacionit.

Urdhri: Sulm mbi median e lirë

Debati për heqjen e antenave nga mali i Dajtit, nuk është i ri. Herë pas here ai kthehet në “mollë sherri” mes shumë palëve. Por të paktën prej një muaji, janë “mprehur sërish shpatat” kundër medias vizive të cilave iu është kërkuar që të heqin antenat nga mali i Dajtit, për arsyen se iu mungon vetëm leja e ndërtimit, në morinë e lejeve të marra në struktura të tjera. Që prej më shumë se një muaji, ishte bllokuar fillimisht puna që po bëhej për ngritjen e një antene të re nga ana e televizionit “Vizion Plus”. E sikur të mos mjaftonte kjo, dy ditë më parë mësohet se ka dalë një urdhër që do të prekë 16 televizione, kombëtare dhe lokale për heqjen e antenave të tyre transmetuese. Sipas këtij urdhri të gjitha këto antena janë ndërtime pa leje. Antenat e vendosura që kur filluan të lulëzojnë dhe mediat vizive private, padyshim që nuk mund të kenë leje ndërtimi, pasi zona e malit të Dajtit është Park Kombëtar dhe si i tillë atje nuk mund të jepen leje ndërtimi. Pika e lartë e Tiranës, e zgjedhur nga specialistët si idealja për të vënë antena transmetimi, mban aktualisht antenat e 16 televizioneve dhe pak më larg tyre dhe antenën e Televizionit publik Shqiptar, e vetmja me leje ndërtimi. Ndërkohë mësohet se të gjitha televizionet që kanë vendosur antenat në këtë zonë, e padyshim dhe televizioni “Vizion plus” që u sulmua dje nga Ndërtimorët, ka jo vetëm leje nga komuna e Dajtit për të shfrytëzuar hapësirën ku ishte vendosur të ndërtohej antena, por ka dhe leje nga Shërbimi Pyjor, sipas të cilit ato nuk shkaktojnë asnjë dëm në ambientin e zonës e në Parkun Kombëtar si dhe leje të tjera të nevojshme për një aktivitet të tillë.

Solidaritet ndërmediatik

Beteja surreale e Inspektoriatit të Policisë Ndërtimore me antenat transmetuese të Vizion Plus u dënua dje nga krerët e shumë mediave të shkruara dhe televizive. Drejtues të televizioneve dhe gazetave kryesore në Shqipëri dënuan këtë akt të pashembullt dhe dashakeq të Inspektoriatit të Policisë Ndërtimore, duke u solidarizuar kështu me “Vizion Plus” në emër të lirisë së medias në një sistem demokratik. Të shëmtuar dhe të turpshëm e kanë quajtur drejtuesit e mediave përpjekjen e drejtuesve të Policisë Ndërtimore, e cila e mbështetur edhe nga policia e rendit u orvat për disa orë rresht për t’i shembur antenën transmetues njërit prej televizioneve më të ndjekur në Shqipëri. Sokol Balla, drejtori i informacionit në televizionin Top Channel, Alfred Peza drejtor i televizionit Ora News, Anila Basha kryeredaktore e “Gazetës Shqiptare” si dhe gazetarë e drejtues mediash dënuan dje aktin e paprecedent të ndërtimorëve, të cilët kurrsesi nuk mund të vepronin me kokën e tyre dhe aq më tepër të tregoheshin selektivë vetëm ndaj televizionit “Vizion Plus”. Krerët e mediave e dënuan aktin dhe shprehën solidaritetin e tyre kundër politikave të strukturave shtetërore mbi mediat e lira dhe të pavarura. Por ky nuk është rasti i vetëm kur “Vizion Plus” gjendet nën presionin e strukturave shtetërore që nisin nga KKRT e deri te policët ndërtimor. Sulmet e njëpasnjëshme ndaj medias së lirë Vizion Plus, jo vetëm nga policia Ndërtimore tregojnë se dikush ka dhënë urdhër që t’i “mbyllet goja” një televizioni që me paanësi dhe objektivitet pasqyron realitetin në të cilin po jetojnë aktualisht shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›