Paraja jashte bankave, ende shqetësim

Struktura kohore e parasë së gjerë në ekonomi ka ruajtur prirje të zhvendoset drejt sistemit bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar, ose siç njihet ndryshe “cash”, është pakësuar. Aktualisht, paraja që qarkullon jashtë bankave përbën rreth 20 për qind të të gjithë parasë që është në qarkullim ose, në vlerë neto, bëhet fjalë për rreth 153 miliardë lekë të reja. Në fund të vitit 2006, ky raport rezultoi me rreth 24 për qind në përputhje me gjithë paranë që është në qarkullim apo, në vlerë neto rreth 175 miliardë lekë të reja. Pra, nga vëzhgimi rezulton se në harkun kohor të tre viteve të fundit, niveli i parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar ka shënuar rënie. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë shpjegojnë se prirja rënëse e peshës së parasë jashtë sistemit bankar në raport me të gjithë paranë që është në qarkullim, vjen si rezultat i rritjes së ndërmjetësimit bankar të realizuar në vitet e fundit. Po ashtu, nuk duhet harruar fakti që rritja e parasë jashtë bankave ka qenë gjithmonë e ndikuar nga efektet sezonale, sidomos në muajt e verës dhe fundvitit. Sakaq, nga ana tjetër, kërkesa e ekonomisë për financim ka vijuar të jetë e lartë, ku në përgjigje të kësaj, bankat tregtare kanë thelluar rolin ndërmjetës financiar, duke ofruar produkte të reja. Kjo ka nxitur zgjerimin e portofolit të kredisë, e cila në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është rritur 8.8 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e portofolit të kredisë, e cila vlerësohet e lartë, mbart rreziqe në rritjen e çmimeve, por edhe të sistemit financiar. Konkretisht, portofoli i kredisë kap vlerën e 287 miliardë lekëve, ku përqindjen më të lartë e zë kredia për biznesin dhe kredia për individët. Sakaq, kredia në valutë dominon tepricën e kredisë me 72.3 për qind të portofolit, krahasuar me 71.1 për qind që ishte në vitin 2006. Në ndryshim nga dy vitet e fundit, viti 2007 tregoi një prirje më të madhe të bankave drejt kredisë në valutë. Në veçanti, sipas Bankës së Shqipërisë, kredia në valutë shënoi rritje të larta në krahasim me kredinë e shpërndarë në monedhën vendase. Pjesa më e madhe e kredisë shpërndahen në euro, ku kjo vjen për shkak të kuotimit të çmimeve në monedhën evropiane të apartamenteve, makinave apo lëndëve të para që importojnë bizneset në sektorin e ndërtimit, tregtisë dhe industrisë. Një pjesë tjetër e parasë që është në qarkullim, është edhe ajo që vendoset në depozita. Niveli i depozitave të sistemit në lekë është rritur me rreth 10 për qind.
Paraja në qarkullim (M3)
2007 761.199 milionë lekë
2006 674.288 milionë lekë
2005 578.035 milionë lekë
Paraja jashtë sistemit bankar
2007 153 miliardë lekë
2006 175 miliardë lekë
2005 162 miliardë lekë
Depozita
2007 502.982 milionë lekë
2006 472.179 milionë lekë
2005 472.923 milionë lekë