E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sytë nga Poliçani

Kompanitë që do të konkurojnë në tenderët e demilitarizimit duhet të paraqesin më parë certifikatë sigurie

POLIÇAN – Kompanitë që do të marrin pjesë në tenderët e çmilitarizimit dhe të demontimit të municioneve tani duhet të paraqesin certifikatat e sigurisë. Masa “shtrënguese” u bë e ditur dje nga ministri i ri i Mbrojtjes Gazmend Oketa gjatë vizitës së tij të parë në uzinën e armëve dhe municioneve në Poliçan. Në këtë vizitë Oketa u njoh me kapacitetin e kësaj uzine dhe nevojat që duhen plotësuar më tej përsa i përket demontimit të armëve dhe municioneve. Ministri i Mbrojtjes gjatë takimit me drejtuesit e kësaj uzine dhe punëtorët e saj u shpreh se në kuadër të përmirësimit të teknologjisë së procesit të demilitarizimit me qëllim rritjen e kapacitetit dhe uljen e kostos në kufijtë minimal, takimi me ato, kishte për qëllim njohjen nga afër dhe thithjen e mendimit të specialistëve për realizimin e objektivit që brenda vitit 2013 Shqipëria të ketë shkatërruar 98 mijë tonë municione të trashëguara nga periudha e komunizmit. Për të arritur këtë objektiv, bëri dje të ditur Oketa, do të duhet  dhe futja në punë e kësaj uzine, e cila ka makineritë e nevojshme speciale dhe ambientet e përshtatshme, duke përfshirë këtu dhe specialistët përkatës që dikur kanë punuar apo punojnë ende pranë kësaj uzine që ka nisur veprimtarinë e saj në vitin 1967 dhe ka pasur si qëllim prodhimin e armatimit dhe municioneve që tashmë duhen të shkatërrohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›