Kryqëzata anti-Rama dhe elita e pushtetitNga Bledar PriftiMë shumë se kurdoherë tjetër, politikanët e të gjithë spektrave, media, dhe analistët politike janë të përfshirë në një kryqëzatë të paparë ndonjëherë kundër një figure politike - dhe kjo ësht
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kryqëzata anti-Rama dhe elita e pushtetitNga Bledar PriftiMë shumë se kurdoherë tjetër, politikanët e të gjithë spektrave, media, dhe analistët politike janë të përfshirë në një kryqëzatë të paparë ndonjëherë kundër një figure politike - dhe kjo është një kryqëzatë kundër liderit ekzotik të Partisë Socialiste, Edi Ramës. Disa kërkojnë largimin e tij nga kreu i PS, disa të tjerë madje kërkojnë largimin e tij nga skena politike shqiptare, dhe të gjithë këta së bashku i faturojnë Ramës “humbjen” e së majtës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Po përse akuzohet lideri i PS? Cilët janë akuzatorët, dhe përse këto akuza kanë marrë përmasat e një kryqëzate?
Së pari, Edi Rama akuzohet nga eksponentë përfaqësues të partive të vogla, me pretekstin se Rama bashkëpunoi me Berishën për të miratuar një Kod, i cili do të eliminonte partitë e vogla. Po a është ky Kod eliminues apo një rregullues i sistemit partiak në Shqipëri? Në të vërtetë, një parti politike formohet dhe ekziston, sepse ajo përfaqëson interesat dhe ideologjinë e një shtrese ose grupimi të caktuar. Në Shqipërinë tonë, në mënyrën më të thjeshtuar, ideologjia mund të ndahet në “të majtë”, “të djathtë”, dhe “të qendrës”. Për sa u përket grupimeve, te ne vërehen tri grupime ose minoritete, kryesore: grek, çam, dhe rom. Së fundmi, shtresa më e dallueshme e shoqërisë sonë është ajo e ish-pronarëve. Po si përfaqësohen të gjitha këto entitete në politikën shqiptare?
Së pari, ideologjia është e përfaqësuar përmes tri partive kryesore: Partia Demokratike (PD), Partia Socialiste, dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), por kjo nuk do të thotë që interesa të tjera nuk janë të përfaqësuara në këto forca. Në pikëpyetje ngelet pozicionimi i LSI. Vlen për t’u zbuluar, nëse LSI do marrë një pozicionim ideologjik në të ardhmen apo do të ngelet një forcë pragmatiste. Interesat e grupimeve dhe minoriteteve përfaqësohen nga PBDNJ, dhe PDI. Ngelet për t’u parë e ardhmja politike e pakicës rome, e cila varet nga mobilizimi politik i këtij komuniteti. Duke i hedhur një sy kësaj analize dhe duke parë praninë e partive të mësipërme në Kuvendin e ri të Shqipërisë, ne mund të arrijmë në konkluzionin, se ky sistem i ri nuk ka përjashtuar asnjë parti politike që realisht përfaqëson dhe mbron interesat e grupimeve dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Pra, ky Kod i ri Zgjedhor nuk ka karakteristika eliminuese, por rregullon dhe sistemon sistemin partiak, në mënyrë të atillë që t’i përshtatet kompozicionit të shoqërisë shqiptare.
Së dyti, Rama akuzohet se tentoi të shkatërronte LSI. Po cilat janë argumentet për këtë akuzë? LSI pretendon se PS shkatërroi strukturat e LSI në bazë dhe bleu eksponentë të rëndësishëm të saj. Nëse shkatërrimi i bazës është i vërtetë, atëherë përgjegjësia nuk mund të kërkohet te PS, por te lidershipi i LSI. Shkatërrimi i bazës mund të vijë si rezultat i një drejtimi të dështuar brenda partisë ose si rezultat i suksesit të partive të tjera. Realisht, a mund të ketë pasur tentativa të PS për të tërhequr elektorat nga LSI? PO! Ku është e keqja këtu?! Kjo është politika dhe principi bazë i politikës, që partitë politike përmes politikave të tërheqin rreth vetes sa më shumë mbështetës, të cilitdo krah. Disa e quajnë këtë herezi e disa të tjerë e quajnë “luftë politike”. Kjo soj analize mund të arrijë në përfundimin se edhe ikja e Metës nga PS ishte “herezi”. Po si mund të hyjmë dhe ndërhyjmë ne në ndërgjegjen, moralin, dhe të drejtën e individit për të zgjedhur?! Demokracia është e bazuar në të drejtën e individit për të zgjedhur dhe në lirinë e krijimit të grupimeve vullnetare politike që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e një grupimi apo shtrese shoqërore. Pra, një logjikë e thjeshtë do të konkludonte se dështimi i LSI në këto zgjedhje është përgjegjësi direkte e lidershipit dhe strukturave të kësaj partie. Gjithashtu, largimi i shumë anëtarëve të LSI lidhet me të drejtën e anëtarëve të saj për të kërkuar interesat e tyre atje ku ata i gjejnë më të përfaqësuara dhe të mbrojtura. Për sa i përket akuzave për blerje të eksponentëve të rëndësishëm të LSI nga PS me shuma marramendëse eurosh, kjo gjë rezulton irracionale dhe me mungesë faktesh, ndaj nuk ia vlen të analizohet.
Në vazhdim, ishte LSI ajo që nxori si objektiv primar bërjen e saj forcën e parë të së majtës. Po si mund të arrihet një objektiv i tillë? Një mënyrë është duke tërhequr drejt LSI anëtarë të PS. Një tjetër mënyrë do të ishte përbaltja e PS dhe e Edi Ramës. Kjo gjë u vërtetua nga fushata anti-Rama dhe anti-PS që LSI ndërmori në fillim të këtij viti. Bllokimi i buxhetit të Tiranës nga këshilltarët e LSI, dhe lojërat me këshillat bashkiake në Fier e gjetkë dëshmojnë këtë strategji që LSI ndërmori kundër PS dhe Edi Ramës. Paradoksale ishte të shihje këshilltarët e së djathtës të votonin buxhetin e Tiranës, në një kohë kur Monika Kryemadhi organizonte këshilltarët e LSI për ta votuar kundër.
Gjithashtu, LSI dhe Meta akuzojnë Ramën dhe PS për vjedhje të votës më 28 qershor. Së pari, LSI dhe Meta duhet të theksojnë detajet se si janë vjedhur këto vota, ku u vodhën, dhe nga kush u vodhën këto vota. Paralelisht me këtë, LSI dhe Meta, në bashkëpunim me Berishën, duhet të çojnë para drejtësisë këta hajdutë që pretendojnë LSI, Meta, dhe Prifti. Nëse LSI dhe Meta nuk e bën këtë gjë, atëherë si mund të pretendojnë këta që në qeverinë e re berishiane do sjellin drejtësi dhe prosperitet?
Së treti, Rama akuzohet se miratoi një Kod Zgjedhor që nuk favorizoi të majtën, por e ndëshkoi atë. E gjithë kjo mesele ka të bëjë me shpërndarjen demografike në Shqipëri, ku pretendohet se PD merr shumë më tepër deputetë në jug, relative nga çfarë merr PS në veri (i etiketuar si i djathtë), pasi shumica e mandateve është e alokuar në jug (i etiketuar si i majtë). Nëse do të shihnim rezultatin e zgjedhjeve, kuptohet qartë se votat e shqiptarëve kanë shkuar majtas, por shumica e mandateve kanë shkuar djathtas. Demografia në këtë prizëm mund të ketë ndihmuar për marrjen nga e djathta e dy deri në tri mandate. Por do pranuar nga të gjithë se ky Kod sjell më shumë barazi për sa i përket përfaqësimit jug-veri, dhe minimizon ndarjen krahinore në politikën shqiptare. Por kuptohet qartë se e majta ka humbur mbi dhjetë mandate për shkak të daljes të veçuara të forcave kryesore të së majtës. Madje edhe vetë LSI humbi afro dy-tri mandate duke krijuar koalicion me partitë fantazmë, gjë që shkaktoi rritjen e pragut nga 3% në 5%. Nga çfarë u theksua më sipër, del se, si PS dhe LSI ishin nën efektin e delirit të madhështisë dhe ishin shumë mendjemëdhenj në kërkim të fitoreve elektorale.
Së fundmi, ne dalim te pyetja se përse këto akuza kanë marrë përmasat e një kryqëzate anti-Rama dhe vijnë nga të gjitha drejtimet e politikës dhe nga media, dhe përse të gjithë kërkojnë largimin e Ramës nga lidershipi i PS, madje edhe nga politika? Për të marrë përgjigje për këtë pyetje, ne duhet të analizojmë një sërë pyetjesh të tjera.
Kush është lideri ekzotik i PS, z. Edi Rama? Përse të gjithë presin me padurim largimin e Ramës? Mos vallë Rama turbulloi ujërat e ndenjura të politikës 20-vjeçare të Shqipërisë postkomuniste? Mos vallë çdo gjë ka qenë mirë dhe Rama prishi politikën shqiptare? Dhe mbi çdo gjë, cilat janë lidhjet e Ramës me elitën politike? Kush përbën elitën tonë politike? A kërkonte Rama të qarkullonte elitën? Kush erdhi dhe kush iku nga kjo elitë? Kujt i leverdis ikja e Ramës? A tregon kryqëzata anti-Rama se Rama është negativ dhe i papërgatitur APO që elita e vjetër e politikës së këtyre 20 viteve tregon se ka hedhur rrënjë të thella? Çfarë fshihet pas kryqëzatës anti-Rama?
Këto pyetje kërkojnë një analizë të hollësishme të elitës së pushtetit në Shqipëri, elementet përbërës të saj, dhe lidhjet midis këtyre elementëve. A është Rama pjesë e elitës së pushtetit? PO! Si shumë politologë pranojnë, ndryshimi i elitës së pushtetit vjen si pasojë e përplasjes përbrenda elitës në përgjithësi. Këtu kemi të bëjmë me një konfrontim midis një elite që e qeveris vendin që prej 20 vitesh në mënyrën më të keqe të mundshme dhe një elitë të re që kërkon ndryshim në mënyrën e qeverisjes së vendit. Faktet tregojnë, fatkeqësisht, se elita e vjetër është agresive dhe dominuese. Kjo kryqëzatë anti-Rama është shprehja më e mirë e këtij fenomeni.
Përfund, do të ripërmblidhja; dështimi i partive të vogla në Shqipëri nuk është gjë tjetër veçse një pasqyrim i saktë i kompozimit të shoqërisë shqiptare dhe i interesave të saj. Kodi i ri Zgjedhor thjesht sistemon dhe rregullon sistemin partiak dhe përfaqësimin sa më të drejtë të grupimeve dhe shtresave të shoqërisë shqiptare, dhe rrjedhimisht përfaqëson dhe mbron interesat e tyre. Gjithashtu, dështimi i LSI në këto zgjedhje duhet t’i faturohet lidershipit dhe strukturave të saj, dhe jo forcave të tjera politike apo Kodit Zgjedhor. Dhe në fund, kryqëzata anti-Rama nuk është gjë tjetër veçse një shprehje e qartë e përplasjes së elitave - një përplasje midis elitës së vjetër me atë të renë. Jashtë kësaj kryqëzate nuk mund të rrinë as elementë të tjerë të elitës së pushtetit, si media dhe analistët e promovuar nga kjo e fundit.