E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryqi i Kuq i shqetësuar për situatën në Pakistan

Swat -Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (CICR) deklaroi sot se ishte "jashtëzakonisht i shqetësuar" nga situata humanitare në zonën e Swat-it në Pakistan, ku nuk ka mundur të futet më që prej fillimit të majit. "Organizata është jashtëzakonisht e shqetësuar nga situata kritike e civilëve të Swat-it dhe mendon se kjo e fundit kërkon një përgjigje humanitare të shpejtë dhe globale", konfirmon CICR në një komunikatë.

CICR thekson se nuk ka më akses që "prej fillimit të majit" në këtë rajon të mbërthyer nga luftimet mes ushtrisë dhe talebanëve, ndërsa të deleguarit e tij janë shprehur "të alarmuar" nga ajo që kanë parë.

"Nuk ka më ujë të rrjedhshëm, as energji elektrike, ndërsa ushqimi është bërë i rrallë", shpjegon CICR. "Nuk ka më naftë për gjeneratorët dhe pjesa më e madhe e qendrave mjekësore të zonës nuk funksionojnë më", tha i deleguari i CICR, Daniel O''Malley, që mundi të shkojë në vend së bashku me një ekip.

"Personeli mjekësor, i paktë në numër që ndodhet ende në vend, po lufton për të punuar pa ujë, pa energji, pa furnizime", vijoi O''Malley. "Ata thjesht nuk mund ta përballojnë fluksin e pacientëve", shtoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›