Kryqi i Kuq, të zhdukurit : Më shumë angazhim nga qeveritë
Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për më shumë angazhim në gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Këto komente kanë pasuar takimin e grupeve punuese për persona të zhdukur të Kosovës dhe Serbisë që u mbajt në Beograd.
Në një njoftim të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, shprehet shqetësim për “ritmin e ngadalshëm të procesit të ndriçimit të fatit të të zhdukurve”.
Komunikata citon kryesuesen e grupit punues, Lina Milner, të ketë thënë se “mungesa e informacioneve të reja për vend varreza të mundshme dhe çështja e trupave të paidentifikuar janë pengesa reale për një përparim më të shpejtë”.
Kosova doli nga lufta me rreth 6 mijë të zhdukur ndërsa edhe 12 vjet më pas mbetet i paqartë fati i 1 mijë e 799 personave, pjesa më e madhe me kombësi shqiptare.