E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksabi Alonso e Torres për Ançelotin

Karlo Ançeloti ndryshon strategji në merkato dhe vendos të bëjë "shopping" te Liverpuli. Objektivat e trajnerit të Çelsit janë Ksabi Alonso dhe Fernando Torres, ndërsa oferta është e denjë për një klub që mbështetet financiarisht nga Roman Abramoviç: 70 milionë euro për kartonët e dy spanjollëve. Një shifër, e cila do të merret parasysh nga pronarët e "Reds", pasi klubi ka vështirësi të theksuara në bilance. Pavarësisht kundërshtimit të trajnerit Rafa Benitez, që është kategorikisht kundër "sakrifikimit" të sulmuesit, marrëveshja nuk përjashtohet. Nga "Anfilld Roud" mund të largohet edhe Havier Maskerano, për të cilin Barcelona ofron 20 milionë euro. Për të siguruar shërbimet e Alonsos, blutë duhet të bëjnë llogaritë me rivalitetin e fortë të Realit të Madridit. Mesfushori i përfaqësueses iberike shihej si një lojtar mjaft i rëndësishëm në skuadrën e riorganizuar të Florentino Perezit. Vlera e kartonit të tij kap shifrën 25 milionë euro, 20 milionë euro më pak nga sa kushton Fernando Torres. Por, për sulmuesin e "Furisë së Kuqe", drejtuesit e Çelsit janë të gatshëm ta ngrenë ofertën deri në 55 milionë euro. Në listat e trajnerit Ançeloti figuron edhe emri i Karlos Tevez, që pohoi publikisht se do të largohet nga Mançester Junajtid. Për argjentinasin, në garë është edhe Mançester Siti dhe 25-vjeçari mund të transferohet në skuadrën që ofron më shumë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›