Ksera: Fonde shtesë për të nxitur punësimin
Një fond prej 10 milionë lekësh të reja do të përdoret për nxitjen e punësimit në qytetin e Elbasanit. Kjo është deklaruar nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, gjatë një vizite në këtë qytet. Këtë vit një rëndësi e veçantë do i jepet qendrave të formimit profesional në vendin tonë, ku qyteti i Elbasanit zë vendin e parë me një qendër model, ku janë investuar më shumë se 2.2 milionë dollarë, ka theksuar ministri Ksera. Ai ka zhvilluar vizita edhe në qendrën antitrafikim Tjetër Vizion si dhe te qendra e fëmijëve Orët Fatlume.
Ksera u shpreh se reformimi i skemës ekonomike do të sjellë zhdukjen e fenomenit të abuzimeve me këtë skemë. Më parë ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, zhvilloi një takim me Prefektin e Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi. Në këtë takim ministri Ksera foli për mbështetjen në buxhet të një shoqate jofitimprurëse, e cila merret me gratë e vajzat e trafikuara. Kjo kategori, sipas ministrit, do të përfitojë nga Ministria e Punës ndihmë ekonomike, pasi të dalin nga qendra e posaçme për to. Gjithashtu, ministri përmendi edhe reformimin e skemës ekonomike, e cila do të nisë me nxjerrjen e specialistëve në terren, të cilët do të bëjnë të mundur identifikimin e atyre familjeve që duhet të përfitojnë ndihmë sociale, duke synuar kështu zhdukjen e fenomenit të abuzimeve me këtë skemë.