E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera: Mbështetje OJF-ve për shërbimet ndaj komunitetin

Duke vlerësuar kontributin që organizatat joqeveritare kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në ofrimin e shërbimeve sociale komunitare në të gjithë vendin, Ministri Ksera theksoi se,

“Qeveria dhe Ministria e Punës janë të angazhuara që të forcojnë bashkëpunimin me OJF-të e licensuara që ofrojnë shërbime në interes të komunitetit dhe me pushtetin vendor, me qëllim rritjen e mbështetjes për të gjitha kategoritë në nevojë”.

“Kryeministri Berisha është shumë i ndjeshëm ndaj zgjidhjes së problematikës sociale dhe, nëpërmjet hartimit të politikave efikase dhe rritjes progresive të fondeve në këtë fushë nga viti në vit, është angazhuar për uljen e varfërisë, rritjen e mbështetjes financiare për grupet në nevojë, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara si dhe rritjen e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve sociale publike”, vuri në dukje Ministri i Punës.

Sipas z.Ksera, “gjatë këtij viti fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për investime në qendrat sociale kanë qenë të larta. Kështu, po punohet për rikonstruktimin dhe kthimin në sistemin shtëpi familje të Shtëpisë së Fëmijës ‘Zyber Hallulli’ në Tiranë, Qendrës së pritjes së viktimave të trafikut, etj.”

Drejtuesja e Qendrës, znj. Silvana Vignari, e falenderoi Ministrin Ksera për vizitën dhe interesimin personal dhe e njohu me ambientet, përfituesit dhe shërbimet që ofrohen në qendër, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit dhe mbështetjes së Qendrës nga ana e pushtetit vendor dhe strukturave qendrore.

Ministri Ksera gjatë vizitës në Qendrën “Projekti Shpresa” u njoh me ambientet në të cilat ofrohen shërbimet dhe u takua dhe bisedoi me përfituesit e shërbimeve, prindërit e tyre, si dhe me personelin, me të cilin ndau mendimin për domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit dhe mbështetjes nga institucionet përkatëse qendrore dhe vendore me qëllim zgjerimin e kapaciteteit të shërbimeve dhe cilësisë së tyre.

Shoqata “Projekti Shpresa” funksionon prej 16 vjetësh në vendin tonë dhe është e licensuar nga MPÇSSHB. Në qendrën e ngritur prej saj ofrohen shërbime rezidenciale dhe ditore për 94 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, një pjesë e të cilëve vijnë nga institucionet e përkujdesit shoqëror. Stafi i kësaj qendre përbëhet nga specialistë të fushave të ndryshme, si edukatorë, kujdestarë, logopedistë etj. të cilët ofrojnë shërbime edukimi, terapi specifike për çdo fushë (okupacion, logopedi, etj.), përgatitje për jetesë të pavaruar , aftësim profesional, etj. /S.Ll/tart/

                                                                                             2011-09-07 15:09
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›