E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera: Nuk do rritet mosha e daljes në pension

TIRANE- Mosha e pensionit nuk do të pësojë rritje, ndaj të gjithë ata persona që janë në prag të përfitimit të shpërblimit të pleqërisë nuk kanë se përse të kenë dyshime.

Garancia për këtë moshë ka ardhur nga vetë ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera i cili ka sqaruar se deklaratat e kryeministrit kanë të bëjnë me përafrimin e pensionit të fshatit me të qytetit dhe jo rritje të moshës së daljes në pension.

Sipas tij gratë do të vazhdojnë të dalin në pension në moshën 60 vjeç, ndërsa burrat kur të mbushin 65 vjeç, po Ksera ka sqaruar se do të ketë indeksim të moshës në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore.

"Ka reformim të ligjit për sigurimet shoqërore, por kurrsesi nuk ka rritje të moshës së pensionit. Do të ketë një indeksim që ka të bëjë me moshën, por kurrsesi nuk ka rritje. Ka indeksim në nivele të ndryshme të pensioneve, siç janë ato të fshatit, në sektorin bujqësor, të invaliditetit dhe gjithë pensioneve të tjera. Me një fjalë nuk ka të bëjë me rritjen e moshës së pensionit", - ka sqaruar ministri Ksera.

Këto deklarata ministri i bëri në komisionin parlamentar të punës, ku ka raportuar për politikat sociale të moshës së tretë. Ministri i Punës ka deklaruar se aktualisht po punohet një draftligj nga ministria dhe grupet e interesit, i cili më pas do të dërgohet në qeveri për t'u miratuar.
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›