Ksera: Projekte për punësimin e të varfërve
Ka ende abuzim me skemën e ndihmës ekonomike, por jo vetëm kaq. Ai është në një shkallë të lartë, ku familje dhe individë me probleme ekonomike e sociale nuk janë përfshirë në programin e mbështetjes ekonomike, por do të fillojë përmirësimi i tij. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punës, Spiro Ksera, gjatë takimit me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe rajonal ku u diskutua për reformimin e skemës së ndihmës ekonomike. Sipas ministrit Ksera, “qëllimi i këtij takimi është që të gjithë aktorët dhe faktorët të kontribuojnë me propozime konkrete për kategoritë e reja që duhet të përfshihen në skemë e ndihmës ekonomike”. Me institucionalizimin e bashkëpunimit kërkohet realizimi i projekteve komunitare me qëllim punësimin e shtresave më të varfra. Ministri Ksera është shprehur: “Nga diskutimi pritet që të gjenden mënyrat dhe mjetet e duhura për të kontrolluar skemën më lehtë, për të ulur abuzivitetin, si dhe për të propozuar mekanizmat efikasë për institucionalizimin e bashkëpunimit të të gjitha institucioneve”. “Në këtë mënyrë, - thotë Ministri Ksera, - parashikimi ligjor për kushtëzimin e ndihmës me punë komunitare duhet të jetë efektiv dhe të shtrihet në të gjithë vendin, nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete komunitare”. Nga ana tjetër përfaqësuesit e institucioneve, të pranishëm, parashtruan propozime konkrete për realizimin e projekteve komunitare në sektorin e bujqësisë, ujësjellës-kanalizimeve, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve rurale e urbane. Nëpërmjet institucionalizimit të bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe institucioneve rajonale të hartohen dhe zbatohen projekte në fushat përkatëse për të bërë të mundur përfshirjen e punëtorëve nga kategoritë që trajtohen me ndihmë ekonomike. Ndërkohë, ministri Ksera tha: “Rritja e mbështetjes për shtresat në nevojë është në qendër të politikave dhe tregues për këtë është rritja në nivelin e 24% të buxhetit për vitin 2010 për këtë skemë, në krahasim me vitin 2009”. Ndërsa, shumë shpejt pritet që të përfundojë drafti për ndryshimet përkatëse në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Gjithashtu, me interesimin dhe mbështetjen e qeverisë, ka filluar procesi i rishqyrtimit të legjislacionit përkatës me qëllim përmirësimin e tij.