E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Tuneli i Thirrës nën kontroll, nuk do ketë më shembje



Situata në tunelin e Thirrës tashmë është nën kontroll të plotë dhe çdo gjë po shkon drejt stabilitetit. Kështu ka deklaruar dje në një dalje publike ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ridvan Bode. Ministri Olldashi ka informuar publikun se në sajë të masave emergjente të marra, në respekt të udhëzimeve të ekspertëve, galeria e veriut është siguruar në gjendje të qëndrueshme dhe ajo e jugut (ku ndodhi rrëshqitja) ka një përmirësim të ndjeshëm. Olldashi sqaroi se kontraktori së shpejti do të fillojë implementimin e projektit të ri për stabilizimin dhe zgjidhjen definitive të galerisë jugore në bazë të rekomandimeve të ekspertëve të pavarur të angazhuar për zgjidhjen e situatës. “Më duhet të ripërsëris faktin që fenomeni gjeologjik i tunelit të Thirrës ka qenë i paparashikueshëm, por jo i panjohur për ne. Për t’i dhënë zgjidhje problemit shumë më parë se të ndodhte rrëshqitja, kemi angazhuar ekspertët më të mirë e më të spikatur të inxhinierisë botërore si dr. Sauer Bureau nga Austria dhe Muller dhe Hereth nga Gjermania. Në bazë të rekomandimeve të grupit të ekspertëve, të supervizorit kroat IGH, menaxherit britanik të projektit, Roughton dhe ekspertizës së pavarur, ne vendosëm mbylljen e tunelit, një muaj përpara shembjes në galerinë jugore”, - theksoi Olldashi. Sipas tij, kjo u bë për të pasur sigurimin e domosdoshëm dhe të menjëhershëm të hyrjeve të tunelit, për të mos lejuar asnjë person (përveç ekspertëve të specializuar) të afrohet pranë zonës së riskut deri në stabilizimin e rishpërndarjes së sforcimeve dhe të plasaritjeve të shkëmbit. Më pas specialistët kanë përforcuar paretet në 250 metra të galerisë veriore, për të evituar efektet e mundshme që mund të shkaktonte në të galeria paralele; u përforcuan zonat e riskut me fasho betoni të projektuar mbi fibra metalike. Ai sqaroi se duhet mbajtur parasysh se zona problematike është vetëm 50 metra, në një gjatësi prej gati 12 mijë metrash që është totali i tunelit, ose e shprehur në përqindje në vetëm 0.4 për qind të tunelit. Ministri Olldashi i pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e Partisë Socialiste në lidhje me afatet e vendosura për hapjen e tunelit se afati për hapjen e tunelit ishte parashikuar në verën 2010, ndërkohë, ai u hap në qershor të 2009, tha se ajo që thotë Partia Socialiste është një gënjeshtër. Ministri sqaroi për gazetarët se afati i përcaktuar për hapjen e tunelit, në verën e vitit 2010, është një shtesë kontrate, ajo nuk është kontrata bazë. Kontrata bazë ka qenë për në qershor të vitit 2009. “Duke pasur fenomene në galerinë e jugut të njohura nga ne, por të paparashikueshme për Institutin e Bolonjës, bëhej fjalë për një shtresë gjeologjike që ka defekte milionavjeçare të ndodhura për gjatë gjithë historisë së vet, ne parashikuam një shtesë kontrate për punime suplementare për në tunelin e jugut. Ndërkohë në tunelin e veriut ky fenomen nuk ka ekzistuar, ose ka ekzistuar përkujdesja jonë që të mbahej në monitorim se mos fenomeni që ndodhte në galerinë jugore mund të afektonte edhe galerinë paralele”, - sqaroi ministri Olldashi. Ai tha se është mbajtur gjithmonë nën monitorim dhe në kontroll të vazhdueshëm dhe për asnjë sekondë nuk ka pasur shqetësime. Ndërkohë që theksoi se galeria jugore nuk ka qenë e hapur as edhe një ditë të vetme për publikun. Ai theksoi edhe një herë se afati i vendosur në verën e 2010-s është një afat që është përcaktuar me shtesën e kontratës dhe jo me kontratën fillestare. Ndërsa i pyetur nëse ka pasur raste të reja shembjeje në tunel, ministri Olldashi sqaroi se nuk ka pasur shembje të reja. “Nuk ka shembje të reja. Pavarësisht dëshirës së flaktë të eksponentëve të Partisë Socialiste për të dëgjuar për shembje të reja, shpresoj që nuk do ta kenë më këtë fat. Dhe unë do t’ju ftoja ju që t’i thoni zotit Rama që të dalë një herë në emisionin e Enkel Demit për të hapur atje një kuti, pasi një herë do t’i dalë Gjiknuri, Sajmir Tahiri, Erion Braçe dhe një herë Ed Shalsi. Dhe mbasi t’i hapë të gjitha, le të zërë mend se tuneli nuk prishet me fjalë”, - ka ironizuar Olldashi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›