E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektet për kushtëzimin e punës komunitare

17/11/2009  Skema e ndihmës ekonomike, numër i madh përfituesish abuzivë

Ksera mbledh përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për ndryshimet

Abuzimet me shpërndarjen e ndihmës ekonomike vijojnë të jenë në ritme të larta, çka do të shoqërohet me reformimin e skemës. Ndryshimet do të konsistojnë jo vetëm në shtimin e kontrolleve për shpërndarjen e kësaj pagese, por dhe zbatimin e projekteve komunitare, nëpërmjet të cilave do të bëhet i detyrueshëm punësimi i personave që trajtohen me këtë pagesë. Për këtë kreu i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera, ka thirrur në një mbledhje urgjente përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe ata të Ministrisë së Arsimit, Shëndetësisë, Bujqësisë, Ministrisë së Brendshme, Institutit të Sigurimeve, Shërbimit Social Shtetëror dhe drejtorive rajonale të shërbimit social, ku është diskutuar rreth reformimit të skemës së ndihmës ekonomike. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve kanë detajuar propozime konkrete për realizimin e projekteve komunitare në sektorin e bujqësisë, ujësjellës-kanalizimeve, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve rurale e urbane etj., të cilat nëpërmjet institucionalizimit të bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe institucioneve të linjës do të bënin të mundur përfshirjen në to të punëtorëve, nga kategoritë që trajtohen me ndihmë ekonomike ( me kohë të plotë apo të pjesshme). Propozimet nga të gjitha institucionet do të priten me shkrim deri në fund të kësaj jave pranë grupit teknik i punës, i cili do të përfundojë shumë shpejt draftin e ndryshimeve përkatëse në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Gjatë këtij takimi ministri Ksera tha se nga problematika e konstatuar se abuzimi me skemën e ndihmës ekonomike është në një shkallë të lartë, ndërkohë që shumë familje dhe individë të tjerë me probleme ekonomike e sociale të theksuara nuk janë përfshirë në skemën e mbështetjes me këtë pagesë sociale. Aktualisht pohohet se ka filluar procesi i rishikimit të legjislacionit përkatës me qëllim përmirësimin e tij, ku po jepen propozime konkrete për kategoritë e reja që duhet të përfshihen në skemë, mënyrat dhe mjetet për ta bërë sa më të kontrollueshme skemën nga përfshirja e familjeve që nuk plotësojnë kriteret përfituese.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›