Ksera i vetmi ish ministër që dorëzon detyrën me ceremoni
Dita e djeshme ka qenë dita e parë kur ministrat e rinj i janë drejtuar godinave të dikastereve të cilat do të drejtojnë përgjatë katër viteve të ardhshme. I vetmi ish-ministër i cili i dorëzoi detyrë pasardhësit të tij përmes një ceremonie ishte Spiro Ksera ish-ministri i Punës dhe Shanseve të Barabarta i cili priti ministrin e ri të Mirëqenies dhe Rinisë, Erjon Veliaj duke i dorëzuar zyrtarisht këtij të fundit detyrën. Në fjalën e tij, Ksera rendit disa nga arritjet e kësaj ministrie ndërsa u shpreh i gatshëm të japë kontributin e tij në rast se ministri i ri do të ketë nevojë. I uroj zotit Erjon Veliaj punë të mbarë, suksese, të jetë i palodhur dhe në shërbim të qytetarëve shqiptare, sidomos të atyre që jetojnë në varfëri ekstreme, që kanë probleme të familjes, të dhunës. Do jem i gatshëm për të dhënë kontributin tim, deklaroi Ksera. Nga ana e tij, ministri i ri, Erjon Veliaj falënderoi ish-ministrin Ksera për ceremoninë dhe punën e bërë gjatë këtyre viteve. Të falënderoj për shërbimin dhe gjithçka keni bërë në këtë ministri. Po futemi në një fazë të re, do mirëpresim gjithë ekipin rinor nga MTKRS, dhe ekipin nga ministria e Arsimit, dhe sesi do të transformohet ISSH, por do të kemi kohë që të dëshmojmë në vijim se çfarë ndryshime do bëjmë në këtë dikaster, tha Veliaj.