E Diel, 1 Nëntor 2026

Heqja e fotografisë së Nishanit fut në sherr mazhorancën me opozitën

526559_10151673376646523_1613610739_nNjë nga vendimet e para të qeverisë së për heqjen e fotografisë së Presidentit Bujar Nishani nga zyrat e institucioneve dhe zëvendësimin e kësaj me fotografinë e Ismail Qemalit ka sjellë reagime në distancë mes mazhorancës dhe opozitës. Përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar këtë akt si antikushtetues.

Opozita

Për nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduart Halimi të tre vendimet e marra në mbledhjen e parë të qeverisë janë antikushtetuese. Sipas tij, qeveria e re nuk kishte përcaktuar as rendin e ditës dhe i miratoi vendimet pa i shqyrtuar fillimisht ato. Ligji përcakton se rendi i ditës miratohet dy ditë përpara. Vendimi fillimisht propozohet, pastaj shqyrtohet. Rama, përsëritës i shkeljes së kushtetutës, shprehet Halimi. Nga ana tjetër, ish-zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku i përqendron akuzat ndaj qeverisë së re veçanërisht tek vendimi për heqjen e fotografisë së Presidentit nga zyrat e institucioneve të shtetit. Sipas Çollakut, fotografia e Presidentit zyrtare ka simbolikë vendin që dëshmohet se është një Republikë. Në çdo protokoll të çdo shteti nga ato me të qytetëruar e zhvilluar e deri të ato në një hap me tej se shtetet tribale, fotografia e kreut të shtetit, presidentit, nuk mungon. Nuk mungon se ajo nuk është foto panoramike, por ka një simbolikë që në çdo Republikë është në themel. Presidenti përfaqëson unitetin e kombit. Duke hequr foton e presidentit Rama ka cënuar pikërisht këtë simbolikë, shprehet Çollaku. Ish-zëvendësministri shton më tek se me këtë veprim mazhoranca e re po e kthen vendin në kohën e Koçi Xoxes. Ky kthim i vrullshëm pas në vitet e Koçi Xoxes është i papranueshëm e duhet ndalur me çdo kusht e çmim, deklaron Çollaku.

Meta

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerëson vendimin e qeverisë për vendosjen e fotografisë së Ismail Qemalit në zyrat e institucioneve, duke e konsideruar këtë një mesazh bashkimi. Fakti që do të jetë një figurë themeluese e shtetit shqiptar, siç është figura e Ismail Qemalit, i cili është një mesazh bashkimi. Mendoj se të gjithë duhet ti mbajmë të gjalla idealet e Konferencës së Pezës, patriotëve shqiptar, komunistëve, nacionalistëve të asaj kohe të cilët kapërcyen diferencat e tyre në emër të interesit të madh, të lirisë së atdheut dhe progresit shoqëror”, tha kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Heqja e fotografisë së Nishanit,Berisha: Akti i turpshëm urrejtjeje

 Akt i turpshëm urrejtjeje. Kështu e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha vendimin e pasardhësit të tij për heqjen e fotografisë së Presidentit nga zyrat e institucioneve. Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se me këtë vendim Rama shkeli Kushtetutën ndërsa e mbyll shkrimin e tij duke thënë se me këto veprime kryeministri i përbën një rrezik kombëtar. Një akt i turpshëm urrejtje primitive. Neni 86 i Kushtetutës, pika 1 stipulon: Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e Popullit. Të dashur miq, Edvin Kristaq Rama inauguroi detyrën e kreut të ekzekutivit me një akt të shëmtuar të urrejtjes klasore, atë të heqjes nga zyrat shtetërore të portretit të Presidentit të Republikës. Ky është një akt urrejtje, përçarës dhe i shëmtuar që bie haptas në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, e cila përcakton Presidentin e Republikës si kryetarin e shtetit dhe përfaqësuesin e unitetit të popullit. Pikërisht se ne çdo vend kryetari i shtetit përfaqëson unitetin e popullit, portreti i tij është dhe portreti zyrtar i vendit. Ky vendim i turpshëm është jo një nderim por një turp kombëtar për çdo shqiptar nga Skenderbeu te themeluesi i Pavarësisë sonë Ismail Bej Vlora e deri tek foshnja që ka hapur sytë mëngjesin e kësaj dite. Ky vendim kurrë nuk mund të merrej pa ndryshimin e nenit 86 pika, 1 të Kushtetutës. Ky kryeministër, që me një urrejtje të papërmbajtur inauguron detyrën e tij duke shkelmuar Kushtetutën dhe përcaktimet e saj, përbën një rrezik të madh kombëtar, mbyll shkrimin e tij, ish-kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›