E Diel, 1 Nëntor 2026

Ksera në Kongresin Botëror mbi sigurinë në punë

Takimi pesëditor sjell së bashku më shumë se 3 mijë politikëbërës dhe ekspertë industrialistë nga mbi 100 vende, për të diskutuar çështje të tilla si marrja e masave për rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe forcimin e dialogut social dhe partneritetit në këtë fushë. Kongresi deklaroi, për herë të parë, se e drejta për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm në punë duhet të njihet si e drejtë themelore e njeriut.

Pjesëmarrësit në Kongresin diskutuan edhe rreth Raportit më të fundit ILO-s për trendin global dhe sfidat mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Sipas Raportit, në vitet 2003-2008, ndërsa numri i aksidenteve fatale pësoi rënie nga 358 mijë në 321 mijë, numri i sëmundjeve profesionale ka njohur rritje nga 1.950.000 në 2.020.000. Raporti vlerëson se ka pasur përparime të konsiderueshme në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë gjatë dekadave të fundit, falë kuptimit në shumë vende të nevojës për të parandaluar aksidentet dhe sëmundjet profesionale.

Kongresi i XIX Botëror, u organizua nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Shoqata Ndërkombëtare e Sigurimeve Shoqërore (ISSA), në bashkëpunim me Ministrinë turke të Punës dhe Sigurimeve Shoqërore (MOLSS). Kongresi organizohet çdo tre vjet, që nga viti 1955 dhe është ngjarja më e madhe globale e politikbërësve dhe ekspertëve për sigurinë e shëndetin në punë.

Kongresi u parapri nga Samiti i Ministrave të Punës, në datën 11 shtator, i cili doli me një deklaratë të përbashkët në të cilën u vu theksi në domosdoshmërinë e gjenerimit të politikave për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës dhe promovimin e të drejtave të punëtorëve për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm në punë. Sipas deklaratës, “ndërtimi dhe promovimi i një sigurie të qëndrueshme kombëtare parandaluese dhe kulturës shëndetësore duhet të sigurohet nëpërmjet një sistemi të përcaktuar të të drejtave, përgjegjësive dhe detyrave, ku prioritet i jepet parimit të parandalimit, në të cilin janë përfshirë në mënyrë aktive qeveritë, punëdhënësit dhe punëmarrësit”.

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera, gjatë ditëve të Kongresit u takua dhe bisedoi edhe me homologun turk, z.Faruk Çelik. Dy Ministrat biseduan për forcimin e bashkëpunimit mes dy ministrive në fushën e sigurisë në punë dhe fushat e tjera që mbulojnë dy institucionet. /Start/

                                                                                             2011-09-14 15:22
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›