E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera prezanton prioritetet për katër vitet e ardhshme

Ksera tha se në Programin e saj Qeveria parashikon hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës. Hapja e vendeve të reja të punës, sipas tij, do të realizohet nëpërmjet zhvillimit ekonomik në tërësi të vendit.

"Reformat e parashikuara në sistemin fiskal, në përmirësimin e mjedisit për biznesin, investimet e mëdha në infrastrukturë e në përdorimin e burimeve energjitike, minerare e mjedisore, prioriti për zhvillimin e turizmit, por edhe bujqësisë dhe agroindustrisë, si dhe nxitja e investimeve të huaja, do të jenë faktorët kryesorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe krijimin e vendeve të reja të punës", tha ministri Ksera.

"Në programin e Qeverisë parashikohet që mbi 90% e vendeve të reja të punës të krijohen pikërisht nga këta faktorë”, sqaroi ai. Duke u ndalur tek roli i Ministrisë së Punës dhe strukturave të saj në rritjen e punësimit, Ksera theksoi se "kjo do të arrihet nëpërmjet përdorimit të programeve efiçiente të nxitjes së punësimit dhe fuqizimin e instrumentave të ndërmjetësimit në tregun e punës. Vetëm nëpërmjet zbatimit të programeve të nxitjes dhe ndërmjetësimit nga zyrat e punës, për këtë mandat parashikojmë të punësojmë 59 mijë vetë".

Anëtarët e Komisionit të Punës vlerësuan prezantimin e ministrit Ksera dhe kërkuan informacion më të detajuar rreth programeve aktive për uljen e varfërisë. Ministri i Punës iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve dhe shpjegoi se, tashmë, ka nisur bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punës me organet e pushtetit vendor për rritjen e eficensës së programeve aktive për zbutjen e varfërisë dhe se skema e ndihmës ekonomike po reformohet rrënjësisht, me qëllim rritjen e efektivitetit të saj dhe uljen reale të varfërisë në vend.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›