E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ngjarje historike jo vetëm për irlandezët

05/10/2009  Shqipëria përshëndet fitoren e referendumit në Irlandë për Traktatin e Lisbonës

Ministrat Meta dhe Bregu vlerësojnë perspektivën europiane

Qeveria shqiptare ka vlerësuar si një hap tepër pozitiv mbështetjen që Irlanda i dha përmes referendumit popullor Traktatit të Lisbonës. Kryeministri Sali Berisha ka përshëndet fitoren në referendumin e Irlandës të Traktatit si një ngjarje e madhe dhe historike jo vetëm për popullin e Irlandës, por për të gjithë popujt e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera si Shqipëria, që aspirojnë për anëtarësimin në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer të kombeve të tyre. Kreu i qeverisë i ka dërguar me këtë rast një mesazh urimi homologut të tij irlandez, kryeministrit Brian Cowen, ku thekson se vota “pro” e qytetarëve të Irlandës është një inkurajim i madh për shqiptarët dhe qeverinë shqiptare për të proceduar me reforma të thella dhe të gjithanshme për arritjen e standardeve për integrimin e vendit në BE. “Me votën e tyre të lirë kombi mik irlandez dërgoi gjithashtu një mesazh të qartë kundër euroskepticizmit, duke i dhënë një hov të ri ëndrrës dhe përpjekjeve të vendit tim, Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë për rikthim e ribashkim me familjen europiane të vlerave të përbashkëta. Për këtë mesash shqiptarët ju mbeten përherë mirënjohës”, - shkruan kryeministri Berisha. Vlerësim ndaj fitores së këtij referendumi ka dhënë edhe ministri i Jashtëm Ilir Meta. Në një konferencë për shtyp shefi i diplomacisë shqiptare ka deklaruar se përbën një lajm të shkëlqyer për BE-në dhe një zhvillim pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Implementimi i Traktatit të Lisbonës do të sjellë një epokë të re me reformimin e thellë institucional dhe strukturor të BE-së si dhe do të hapë një perspektivë të qartë për zgjerimin e tij të mëtejshëm”, - ka thënë ai.

Edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka vlerësuar maksimalisht fitoren e referendumit. Ajo tha se Irlanda qartësoi perspektivën europiane. Bregu nënvizoi se e ka cilësuar referendumin mjaft pozitiv për perspektivën europiane të Shqipërisë.

Traktati i Lisbonës

Traktati i Lisbonës, i cili modifikon Traktatin e BE-së dhe traktatin që institucionalizon komunitetin europian, është firmosur në kryeqytetin portugez më 13 dhjetor 2007 nga përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së. Traktati i Lisbonës i hap dyert zgjerimit të BE-së me vendet të tjera anëtare. I vetmi vend që nuk kishte ratifikuar traktatin përmes referendumit popullor ishte Irlanda, që në referendumin e parë më 12 maj 2008 e hodhi poshtë këtë dokument.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›