Rihapet Kapshtica, kalojnë 7 mijë persona dhe 3 mijë makina
Situata në kufirin Shqipëri-Greqi është normalizuar, ndërkohë që hyrjet e emigrantëve janë të konsiderueshme. Policia shqiptare në këtë vendkalim ka kaluar në gjendje gatishmërie të plotë
Korçë- Rihapet kufiri me Greqinë për mjetet e tonazhit të rëndë, nis fluksi i emigrantëve për festat e fundvitit. Teksa një ditë më parë lëvizja në drejtim të Greqisë dhe anasjelltas e autobusëve të linjave të përditshme me shtetin fqinj, por dhe e kamionëve ishte e ndaluar për shkak të reshjeve të mëdha të borës.
Gjatë mëngjesit të së shtunës situata ka ndryshuar. Ndërkaq, hyrja e emigrantëve shqiptarë është shtuar së tepërmi. Duke iu referuar shifrave zyrtare të policisë kufitare, nga ora 7 e mëngjesit të së shtunës deri në orën 17:00 nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës kanë hyrë rreth 7 mijë emigrantë me 3200 automjete. Pala shqiptare, nisur nga kjo dyndje ka shtuar sportelet duke punuar me 7 të tilla gjithsej, ndërkohë që pala greke punon vetëm me 4. Emigrantët që hyjnë përmes pikës kufitare të Kapshticës, sqarojnë se vonesa ka vetëm nga ana e palës greke, ku gjatë përpunimit të të dhënave në vendin fqinj iu nevojiten afro 30 minuta për person në shumë raste. Ndërkaq autoritetet e policisë greke kanë lejuar më në fund kalimin e autobusëve dhe kamionëve, pas masave të marra nëpër lëvizjen e tyre në segmentin Kozan-Selanik, ku rruga u bllokua pjesërisht për qarkullimin e automjeteve të mëdha. Ndërkaq afro 15 autobusë, të cilët prej më shumë se 12 orësh qëndronin në radhë në territorin shqiptar, kanë vijuar udhëtimin drejt Greqisë në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Mospranimi i agjencive të udhëtimit për të kthyer mbrapsht autobusët, bëri të detyrueshëm negociatat mes autoriteteve policore të shtetit fqinj, për të shmangur qëndrimin në temperaturat tepër të ulëta të qindra udhëtarëve shqiptarë. Tashmë situata në kufirin Shqipëri-Greqi është normalizuar, ndërkohë që hyrjet e emigrantëve janë të konsiderueshme. Policia shqiptare në këtë vendkalim ka kaluar në gjendje gatishmërie të plotë, duke pasur përforcime dhe një numër më të lartë efektivash për këtë periudhë. Parashikohet që në ditët në vazhdim të ketë dhe hyrje më të mëdha të emigrantëve, hyrje që kulmojnë në ditët e fundit të këtij fundviti.