Kthehen çirakët
18 vjet pas shkatërrimit total të ndërmarrjeve tradicionale të prodhimit me dorë a me vegjë, për herë të parë miratohet një projektligj për artizanatin. Me vendim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dje ka vendosur që ky ligj të kryejë një funksion rregullues në ushtrimin, organizimin, mbështetjen dhe shkollimin profesional të sektorit të artizanatit.
Mjeshtrat, çirakët dhe punët e dorës që në këto vite i kemi parë në treg të importuara nga jashtë, e sidomos vendet orientale - tani do të rikthehen duke iu adaptuar kohëve moderne, sigurisht në Shqipëri. Ajo çka prodhohej në vendet me etnos të dukshëm e të zhvilluar, ku edhe sot ruhen bërthama të tilla, tani do të trashëgohet me ligj. Do rivlerësohet mjeshtëria, po ashtu do të kthehen dhe çirakët - por me një ndryshim kardinal nga ç’kemi dëgjuar deri tani, ata do ta sigurojnë profesionin duke u shkolluar.
Dje, gjatë një seminari të organizuar në Ministrinë e Kulturës për prezantimin e këtij projektligji kanë marrë pjesë përfaqësues nga Këshilli i Ministrave dhe ministritë, si zv.ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, znj. Suzana Turku, këshilltar i Kryeministrit, Petraq Milo, zv.ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo. Ndërkaq, zv.ministrja e MTKRS, Suzana Turku, ka vlerësuar rëndësinë e këtij projektligji duke u shprehur se “zejet tradicionale janë padyshim një nga tiparet kryesore të identitetit kulturor të një vendi dhe ruajtja e trashëgimisë kombëtare dhe identitetit është një nga prioritetet e politikës kulturore të qeverisë. Për më tepër, duke qenë një sektor me specifikë të veçantë, ai do të luajë një rol të madh në zhvillimin ekonomik të rajoneve të veçanta. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe dëshmitarë të interesit të madh që tregojnë kryesisht turistët e huaj por jo vetëm, për produktet e prodhuara me dorë nga artizanët vendas, që shpesh gjenden pranë vendeve me interes historik dhe artistik”.
Qëllimi
Nxitja e zhvillimit të artizanatit, duke garantuar kushtet për evidentimin e shpirtit të sipërmarrjes, mbrojtjen e interesave të artizanëve dhe të konsumatorëve të produkteve e shërbimeve të artizanatit është qëllimi i projektligjit “për artizanatin”.
Ky ligj parashikon gjithashtu që shteti të mbështesë dhe të nxisë artizanatin dhe organizatat e artizanatit, me qëllim rritjen e aftësive të tyre prodhuese dhe punësimin. Në mënyrë të veçantë Këshilli i Ministrave, ministritë përgjegjëse dhe organet e pushtetit vendor koordinojnë me Dhomat e Artizanatit të Qarkut dhe Dhomën Kombëtare të Artizanatit, programet e përcaktuara në ligjin “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”.
“Ky ligj do t’i hapë rrugën zhvillimit të një klime ekonomike që do të maksimizojë probabilitetin e suksesit të atyre, që do të zhvillojnë biznesin në këtë sektor. Ministria e Kulturës do të angazhohet konkretisht në projekte dhe strategji, të cilat do të eksplorojnë mundësi për krijimin e lehtësive për këtë sektor sidomos për sa i përket marketingut të vlerave”, - shprehet zv.ministrja Turku, duke shtuar se “synimi ynë është që ta përdorim biznesin e vogël dhe të mesëm të këtij sektori për të ruajtur traditën, në funksion të zhvillimit ekonomik afatmesëm dhe afatgjatë të vendit”. Sipas saj, ky sektor përbën një potencial në zhvillimin ekonomik të rajoneve, e për këtë qeveria shqiptare përmes disa aktorëve ka ndërmarrë një nismë të tillë. “Hartimi i këtij projektligji i cili në fakt vjen në një kohë kur në vendet e zhvilluara, tendencat e këtij zhvillimi kërkojnë përdorimin në masë të teknologjive sa më të avancuara, ndaj ky projektligj merr një valencë të veçantë, pasi krijon terrenin për të nxitur dhe zhvilluar punën e dorës”.
Ushtrimi
“Ushtrimi i një artizanati në mënyrë të pavarur nga një person, ose shoqëri tregtare lejohet vetëm nëse ndërmarrja artizane është regjistruar në regjistrin e artizanatit”, parashikon projektligji i diskutuar në seminarin e djeshëm në MTKRS. Po ashtu, nënvijëzohet edhe se ndërmarrja artizane e regjistruar në regjistër duhet të ekspozojë në një vend të dukshëm dëshminë e lëshuar që vërteton këtë regjistrim, si edhe t’ua tregojë atë konsumatorëve të produkteve e shërbimeve dhe kontrollorëve, nëse kjo kërkohet nga këta të fundit, në të kundërt ushtrimi i veprimtarisë ndalohet automatikisht.
Organizmi
Organizimi i artizanatit përfshin katër seksione si dhomat e artizanatit, dhoma kombëtare e kësaj veprimtarie, regjistrimi dhe shoqatat e degëve të artizanatit. Sipas këtij projektligji, dhomat e artizanatit nuk janë veprimtari fitimprurëse dhe ngrihen pas miratimit të statutit nga ministri përgjegjës për ekonominë, i cili drejton edhe mbikëqyrjen e punës së dhomës. Në një qark mund të ketë vetëm një Dhomë Artizanati, e cila duhet të ketë të paktën 1500 anëtarë sipas ligjit gjerman, në të kundërt ajo nuk mund të krijohet. Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë vendimmarrës i Dhomës së Artizanatit, e cila përbëhet nga anëtarët e kësaj të fundit, numri i së cilës përcaktohet nga statusi i dhomës. Ndërkohë që çdo Dhomë Artizanati mban një regjistër të artizanëve të qarkut të saj, aty ku të shënohen të gjitha ndërmarrjet e artizanatit me statuset e tyre juridike. Sipas projektligjit, një person regjistrohet në regjistrin e ndërmarrjeve të artizanatit, në qoftë se ai ka kaluar provimin e mjeshtrit në specialitetin përkatës që ushtron ndërmarrja ose në qoftë se ai mund të dëshmojë një kualifikim të barasvlershëm. Dhoma Kombëtare e Artizanatit ka kompetencë që të zhvillojë një politikë të përgjithshme që përfaqëson interesat e artizanëve dhe të organizatave të tyre, për të siguruar të drejta të barabarta, në mënyrë të veçantë me mbështetjen e Këshillit të Ministrave dhe të ministrit përgjegjës për ekonominë gjatë përgatitjes së masave dhe programeve, jep mendim për aktet ligjore dhe nënligjore që prekin artizanatin dhe shkollimin profesional në artizanat etj. Ndërkohë që shoqatat e degëve artizanale janë ndërmarrje të ngjashme nga ana profesionale, që bashkëpunojnë për të përfaqësuar interesat e tyre të profesionit.
Mjeshtra e çirakë me shkollë
Sipas projektligjit, të drejtën për të realizuar shkollimin e kanë vetëm ato ndërmarrje artizane, të cilat për këtë qëllim të vënë në dispozicion një vend të përshtatshëm për llojin dhe bazën materiale të artizanatit. Shkollimi i nxënësve në artizanat bëhet në bazë të rregullave të një programi mësimor, i cili përpunohet dhe miratohet nga Dhoma Kombëtare e Artizanatit, që parashikojnë se afati i shkollimit nuk lejohet të jetë më i shkurtër se tre vjet, por edhe jo më i gjatë se katër vjet, aftësitë dhe kushtet që kërkohen për shkollim etj. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi pas aprovimit nga Parlamenti.