E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtarët e naftës: Çmimi i rritur, reflektim i bursës dhe akcizës



Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve nisur nga shkrimet e botuara për rritjen e çmimit të tregtimit të karburanteve ka reaguar dje, duke sqaruar arsyen pse ka ndodhur një veprim i tillë. Sipas kësaj shoqate, duke iu referuar tregut ndërkombëtar, të paktën për dy muajt e fundit, informojnë se deri në mesin e muajit shkurt 2009, në bursë një ton naftë e përpunuar është ofruar me çmimin 370-400 USD, një fuçi naftë për të njëjtën periudhë të raportuar është luhatur mes 35-37 USD/fuçi, ndërsa benzina është kuotuar në nivelin rreth 380 USD/ton. Nga 15 shkurti 2009 e deri në ditët në vijim, bursa ndërkombëtare ka kuotuar një fuçi naftë në vlerat 43-44 USD/fuçi, produkti i përpunuar është ofruar më çmimin 480-490 USD/ton, ndërsa benzina me çmimin 500 USD/ton. Tregtarët njoftojnë se kjo rritje e çmimit të hidrokarbureve në tregun ndërkombëtar nuk është pasqyruar në mënyrë të menjëhershme në tregun e brendshëm të shumicës, pasi kjo rritje çmimesh është amortizuar nga rezervat e detyrueshme të kompanive kryesore importuese. Por një arsye tjetër, sipas tyre, është akciza e karburanteve. Sipas ligjit, akciza e naftës fiksohet në 37 lekë për litër. Ligji i miratuar parashikohen një akcizë fikse për çdo litër karburant të importuar apo të prodhuar në vend. Sipas tregtarëve, kjo taksë vepron menjëherë në tregun e karburanteve, pavarësisht gjendjes së rezervave në depozita. Kompanitë importuese dhe prodhuese janë të detyruara, sipas ligjit, të aplikojnë akcizën e re mbi të gjithë sasinë e mallit në magazinat doganore dhe në import, duke i shtuar kësaj takes edhe tatimin mbi vlerën e shtuar. Kjo do të thotë që tregu do të reflektojë një çmim prej 12 lekë për litër karburant më tepër se sa para aplikimit të akcizës së re (akciza=10 lekë/litër +20% TVSH=12 lekë/litër).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›