E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen edhe Alili e Shabani

Dy futbollistët e Ferizajt, Shiqeri Alili dhe Burim Shabani kanë vendosur të kthehen në Kosovë, pas një jave sa u provuan te TS Podbeskidzie.

Në fakt, klubi polak ka qenë i interesuar t’i mbajë në skuadër të dy kosovarët, por Alili dhe Shabani nuk kanë qenë të kënaqur me kushtet, të cilat u janë ofruar nga zyrtarët e Podbeskidzies, andaj kanë vendosur që karrierën ta vazhdojnë në Ferizaj.

Lajmin e ka bërë të ditur vëllai i Burim Shabanit, Labinoti, i cili është portier i Ferizajt.
“Kam kontaktuar me Burimin dhe ai më njoftoi se të hënën do të kthehet në Kosovë bashkë me Shiqeri Alilin. Klubi polak u ka ofruar kontratë të dyve, por këta nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratë, sepse nuk kanë qenë të kënaqur me kushtet e ofruara”, tha Shabani për Express

Para se të testoheshin në TS Podbeskidzie, Shiqeri Alili dhe Burim Shabani u patën testuar në MKS Odra, e bashkë me ta edhe dy futbollistët e tjerë të Ferizajt, Labinot Shabani e Avdyl Haliti. Por këta dy të fundit ishin kthyer në Kosovë para disa ditësh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›