E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatkeqësia natyrore, alternativa e vetme e Ramës për shqiptarët

Përmbytjet/ Ministria e Brendshme siguron se situata është nën kontroll në zonat e dëmtuara. PD denoncon deklaratat e PS-së PD: Urimi i Partisë Socialiste për shqiptarët, “Rroftë përmbytja!”. Edi Rama fërkoi duart që nga Burxhalarabi, ku ishte për pushime të nxehta gjatë ditëve polare që kalon ShqipëriaPartia demokratike ka siguruar dje banorët e zonave të përmbytura se Qeveria do të jetë në mbështetje të tyre, ndërsa ka denoncuar edhe qëndrimin e Partisë Socialiste. “Edi Rama dhe bllokmenët e rinj, pasi kaluan pushimet e fundvitit në Burjalarab dhe detrat e nxehta, u sollën dje shqiptarëve si urim, ‘Rroftë përmbytja’. Deklarata e Edi Ramës për përmbytjet, janë dëshmi tjetër se ai alternativë të vetme për shqiptarët ka fatkeqësinë natyrore”, u shpreh dje për mediat zëdhënësja e PD-së.Më pas zëdhënësja e PD-së, bëri një panoramë të shkurtër të vënies nën kontroll të gjendjes së krijuar nga ana e strukturave të Qeverisë.“Ndërkohë ju informojmë se reshjet dhe vërshimet e mëdha që rritën në dhjetëra e dhjetëra herë prurjet në lumenjtë e Matit, Drinit të Zi, Drinit të Bardhë e degëve të tyre, në lumin e Gashit, Valbonës, Currës dhe në lumin e Shalës u përballuan me dëmet më minimale. Kjo së pari për shkak të angazhimit total para dhe mbas natës së ndërrimit të viteve nga autoritetet lokale dhe qendrore për menaxhimin e situatave emergjente dhe së dyti nga pritat dhe argjinaturat e ngritura në lumin e Matit, në atë të Drinit, Kirit e Vjosës, të cilët përballuan vërshimet e papara të këtyre lumenjve gjatë dhjetë ditëshit të fundit”. Në emër të PD-së, zëdhënësja shprehu edhe një herë mbështetjen dhe angazhimin e qeverisë, ndërsa garantoi banorët e zonave të përmbytura se qeveria do të gjendjen pranë tyre në këto ditë të vështira.“Partia Demokratike shpreh edhe një herë vlerësimin dhe mbështetjen e saj më të madhe për qytetarët e këtyre zonave, qeveritarët vendor të të gjitha niveleve, për forcat e Policisë së Shtetit, Emergjencat Civile dhe ato të Ushtrisë, Bordeve të Kullimit, të cilët bënë që këto momente kritike të përballohen pa humbje jetësh dhe me dëme plotësisht të kompensueshme”, përfundoi zëdhënësja e PD-së.Ministria e Brendshme: Situata nën kontroll zonat e dëmtuara Bazuar në informacionet e ardhura nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër dhe Lezhë për situatën e krijuar nga reshjet dhe shkarkimet nga Kaskada e Drinit, dje rezulton se ka një përmirësim të ndjeshëm duke pasur parasysh se edhe niveli i ujit ka rënë me afro 20 cm,bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi zyrtar Ministria e Brendshme.  Sipas Fredi Ollit, drejtorit të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, mësohet se në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës, situata po shkon drejt normalizimit.Qarku ShkodërBashkia Shkodër: Nga vlerësimi paraprak është përmbytur rreth 600 ha tokë në rajonin nr. 1. Në lagjen Ajasem, Bahçallëk dhe Tophane, janë evakuuar nga zona e përmbytjes 37 familje, nga të cilat 11 familje janë strehuar në ambientet e Turizmit në Shkodër. Dje pasdite 130 persona të komunitetit rom janë akomoduar ne repartin ushtarak Melgushë, ku u është dhënë asistencë me ndihma në ushqime dhe ndihmë mjekësore. Sot për këto familje janë duke u dërguar nga Rezerva e Shtetit edhe 100 pako familjare me ushqime.   Komuna Ana e Malit: Sipas vlerësimit paraprak është përmbytur rreth 850 ha tokë. Janë me prezencë uji 130 shtëpi në fshatin Obot, nga të cilat 13 janë evakuuar më parë dhe 15 familje janë evakuuar sot. Sot janë dërguar rreth 150 pako familjare me ushqime dhe nga komuna po merren të gjitha masat për t’i shpërndarë në çdo shtëpi. Komuna Dajç: Në këtë komunë janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësore. Në prezencë uji ndodhen 70 banesa dhe janë evakuar 53 familje. Në fshatin Semrisht ka dëmtime të argjinaturës. Në këtë komunë janë të dislokuara dy zjarrfikëse për mbrojtjen nga përmbytja të dy kabinave elektrike. Në terren në Qarkun e Shkodrës,  janë dislokuar forcat operacionale me përbërje: 15 mjete të Policisë së Shtetit për të ndihmuar evakuimin e banorëve, forca të FNSH Shkodër e Tiranë, si dhe reparti Delta Force me dy gomone. Në qarkun e Shkodrës po veprojnë në terren nga Ministria e Mbrojtjes 112 trupa, 13 mjete transporti vetëshkarkuese dhe 6 motobarka gomone. Sot janë nisur për në Komunën e Ana e Malit 12 forca montimi me dy mjete transporti të ngarkuara me dy ura tip bejli që do të montohen në këtë komunë. Qarku LezhëSituata në këtë qark po shkon drejt normalizimit. Vazhdon puna për ndërtimin e argjinaturës në lagjen Stome, fshati Ishull Shëngjin. Po punojnë forca dhe mjete të ushtrisë, të Policisë së Shtetit, emergjencave civile, të bordeve të kullimit dhe të pushtetit vendor. Në terren po punojnë 11 makina vetëshkarkuese, tre ekskavatorë dhe tre fadroma. Në zonën e Tales nuk ka asnjë problem, uji është larguar dhe nga tokat bujqësore. Dëshirojmë t’i bëjmë me dije opinionit publik se të gjitha strukturat shtetërore të angazhuara për përballimin e kësaj situate emergjente janë në terren dhe në gatishmëri të plotë. Komisioni Ndërministror i Emergjencave Civile dhe shtabet e emergjencës në qarqet Shkodër e Lezhë po monitorojnë hap pas hapi situatën dhe po koordinojnë veprimet me strukturat e varësisë për zgjidhjen e problemeve dhe përballimin e situatës. Ministria e Mbrojtjes njofton masat e marra në ndihëm të zonave të përmbyturaForcat e Armatosura ndërtojnë argjinatura dhe ura në zonat e izoluara nga përmbytjetForcat ushtarake të angazhuara për përballimin e situatës së emergjencës në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës kanë vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar punën për të minimizuar dhe parandaluar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Ministria e Brendshme njoftoi se gjatë ditës së djeshme forcat e angazhuara në terren kanë punuar për ndërtimin dhe përforcimin e argjinaturës në Ishull Lezhë me gjatësi 1000 metra. Aktualisht ka përfunduar argjinatura në një gjatësi prej 500 metrash, ndërsa po punohet për përfundimin e plotë të saj. Vazhdon puna edhe për riparimin e argjinaturës së Dajçit. Në këtë argjinaturë me gjatësi 14 kilometra, janë vendosur 3000 thasë me rërë dhe janë kryer punime të tjera të domosdoshme për strukturën e argjinaturës. Forcat ushtarake nisën dje në mëngjes dhe kanë përfunduar rreth mesditës ndërtimin e urës tip “Bejli” me gjatësi 9 metër në Moriqan të komunës Obot. Në fshatin Obot janë shpërndarë me anë të gomoneve dhe motobarkave ushtarake rreth 200 pako me ndihma ushqimore, afërsisht tre ton me materiale të nevojshme për familjet që kanë shtëpitë e përmbytura. Gjithashtu, forcat ushtarake po punojnë me intensitet për riparimin e infrastrukturës rrugore në zonat e prekura nga përmbytjet dhe po merren edhe me evakuimin e banorëve të zonave të përmbytura. Forcat e Armatosura kanë vendosur në dispozicion të Shtabit të Emergjencave kapacitete të mjaftueshme për zhvendosjen e banorëve, ndër të cilat forca njerëzore dhe mjete për transportim të mallrave dhe të bagëtive. Shumë prej banorëve janë vetëzhvendosur te të afërmit ose kanë refuzuar  largimin nga banesat. Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion për banorët që evakuohen, Shtëpinë e Pushimit në Durrës me një kapacitet prej 420 personash. Gjithashtu, është përfunduar dhe vënë në gatishmëri të plotë, një kamping me të gjitha pajisjet, i cili mund të strehoj mbi 130 persona. Aktualisht janë të angazhuar në terren rreth 164 forca, 48 mjete si; 12 kamionë, 6 gomone, 1 ambulancë, 14 vetëshkarkues, 1 karroofiçinë, 4 fadroma, 2 ekskavatorë dhe mjete të tjera. Zonat ku operojnë forcat ushtarake në Qarkun Lezhë: Tale dhe Shëngjin; në Qarkun Shkodër: Obot, Oblik, Dajç, Muriqan, Dërgjat, Shirq dhe Vau i Dejës.   ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›