E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen emigrantët, radhë në dogana

Ka nisur fluksi i emigrantëve që vijnë për të kaluar pushimet në atdhe. Në dy pikat e kalimit të kufirit me Greqinë, në Kakavijë dhe Kapshticë, gjatë ditës së djeshme kanë hyrë në tokën shqiptare më shumë se 8 mijë emigrantë. Përveç përballimit të fluksit, një shqetësim parësor i autoriteteve është identifikimi i rasteve me gripin e derrave, duke patur parasysh faktin se Greqia ka shpalluar gjendjen e alarmit ndaj virusit.
Edhe pse ekipe të bluzave të bardha janë të vendosura në doganë, është e pamundur që rastet të identifikohen apo shmangen prej aty. Mjekët këshillojnë emigrantët që të paraqitet në klinika apo spitale sapo të dallojnë shenjat e para të gripit për të marrë mjekimin e duhur.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme nga pika doganore e Kapshticës raportohet të kenë hyrë më shumë se 4 500 emigrantë dhe rreth 1100 mjete. Pavarësisht nga lëvizjet e shtuara në të dy anët e kufirit nuk ka patur radhë e pritje të udhëtarëve, sidomos të emigrantëve për kryerjen e procedurave të kalimit të kufirit në doganë. Nga ana e palës shqiptare, në Kapshticë po punohet me tre sportele për kryerjen sa më shpejt të procedurave të kalimit kufitar dhe përpunimin e njerëzve e të mjeteve, ndërsa nga pala greke me dy sportele. Ndërkaq edhe nga Kakavija në orët e fundit kanë hyrë në tokën shqiptare më shumë se 4 mijë emigrantë. Edhe në këtë pikë doganore nuk ka patur radhë të gjata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›