Kryeparlamentarët, të gjithë me portrete në muret e Kuvendit
Është cilësuar si gruaja e hekurt në drejtimin e institucionit të Kuvendit për katër vite me radhë, por duhet pranuar se i ka ndryshuar edhe imazhin godinës së Kuvendit, duke i ofruar feminilitetin e saj. Jozefina Topalli, Kryetarja e Kuvendit, përveç luleve të shumta që shikon në sallën e Parlamentit dhe ndriçimit e lyerjes me shije të ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, ka vendosur edhe një praktikë të re: të kujtojë të gjithë kryetarët e Parlamentit nga 1991 deri më sot me nga një portret të pikturuar nga piktori Pash Përvathi dhe të varur me kujdes në ambientet e korridorit të Kuvendit në katin e dytë. Këto foto janë të vendosura në mes të fotografive të tjera të parlamentarëve shqiptarë ndër vite, të cilat Topalli ka vendosur t‘i kujtojë për kontributin e tyre të dhënë në drejtimin e legjislativit shqiptar. I pari që hap siparin e portreteve sapo hyn në katin e dytë të Kryesisë së Kuvendit, është ish-kryetari i këtij Kuvendi, deputeti i PS-së, Kastriot Islami. Më pas portreti i tij pasohet me figurën e ish-kryetarit ish-deputet i PD-së Pjetër Arbnori, i cili është ndarë nga jeta, por puna dhe kontributi i tij për ndërtimin e demokracisë kujtohet me respekt nga bashkëpunëtorët e tij. Pas portretit të të ndierit Arbnori vjen ai i ish-kryetarit të Kuvendit, ish-deputet i PSD-së, Skënder Gjinushi, për t‘ia lënë vendin ish-kryetarit dhe deputetit të PS-së Namik Dokle dhe ish-kryetarit tjetër socialist Servet Pëllumbi. E fundit në këtë renditje aktualisht është Kryetarja aktuale e Kuvendit, deputetja e PD-së, Jozefina Topalli. Iniciativa për kujtimin e krerëve të Kuvendit me nga një portret në hyrje të Kryesisë së Kuvendit ka qenë e vetë kryetares Topalli, e cila me marrjen e kësaj detyre, përveç rikonstruksionit të plotë të godinës, ajo e ka ndryshuar mjaft imazhin e saj. Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit gjen në çdo faqe muri fotografi të mëdha të ish-deputetëve të Kuvendit ndër vite. Po ashtu, ambienteve të brendshme nuk u mungojnë vazot e shumta të luleve, të cilat tashmë gjenden edhe në sallën e seancave parlamentare. Lyerja e godinës dhe abazhurët e bukur janë një tjetër element që të bien në sy në Kuvend, ashtu siç nuk mungon edhe mobilimi me shije në sallën e mbledhjes së grupit të parlamentarë të mazhorancës, e cila ndodhet në katin e katërt të godinës së kryesisë. Gjatë drejtimit të saj për katër vite të Kuvendit, kryetarja Topalli ka tentuar ngaherë të sjellë risi në këtë institucion. E tillw ishte edhe ekspozita me foto të vjetra të dinastisë Marubi, të cilat paraqisnin deputetët e kohës.