E Shtunë, 31 Tetor 2026

NUMRAT DHE POLITIKA

1.

Edhe pse të gjithë e dinë se zgjedhjet politike, që sapo përfunduan, e kanë fituesin e tyre, ka ende jo pak njerëz që vazhdojnë të shpërndajnë një mjegull, e cila nuk i bën mirë askujt, e veçanërisht humbësit të tyre të paralajmëruar. Sikur të mos mjaftonte këmbëngulja e Edi Ramës, i cili të kujton vetëm një Berishë të dikurshëm e që nuk është më, edhe disa njerëz rreth tij vazhdojnë të prodhojnë iluzionin e mundësisë së një "përmbysjeje" të rezultateve, gjë që është e pamundur, veçanërisht pas marrëveshjes së deklaruar mes Metës dhe Berishës. Koalicioni i renditur i pari në këto zgjedhje është ai i drejtuar nga Sali Berisha, qoftë si përqindje votash popullore, qoftë si numër deputetësh në Parlamentin e ardhshëm. Koalicioni i dytë është ai i drejtuar nga Edi Rama. Ashtu sikundër pritej dhe ishte paralajmëruar - rrallë ka pasur në Shqipëri ndonjë palë zgjedhje, ku thuajse gjithçka ishte paralajmëruar nga institucione serioze si këto të fundit, - fatin e qeverisjes e ka në dorë grupi i zvogëluar - ligjërisht, - i koalicionit që drejtohet nga Ilir Meta. Kjo përbën thelbin e asaj që ka ndodhur në këto zgjedhje. Por, përballë këtij fakti thelbësor, në një kohë kur shumëkush, pritet të ulet e të analizojë me përgjegjësi shkaqet, një mekanizëm qesharak alibie të pamundur po përpiqet të ngrihet në mendjet e trullosura nga vapa të shqiptarëve: ai i numrave. Kaq vota kishte kutia X, kaq ajo Y, e kështu me radhë. Kaq në këtë qendër, aq në atë qendër. Kaq në këtë "rajon", aq në atë tjetrin…

Për të kuptuar më mirë atë që realisht po ndodh në të ashtuquajturën seli rozë, mjafton të citojmë njërin prej drejtuesve të Partisë Socialiste, i cili vetëm dy ditë më parë shprehej:

"Humbje? "Humbja e PS-së" po artikulohet sot si nevojë jetike e Sali Berishës dhe Ilir Metës. PS-ja ka fituar me vota, dhe kjo e ka bërë atë partinë politike më të madhe, më të besuar e më të votuar në vend. Kudo! Më lejoni t‘ju jap disa rezultate. Fitorja me vota e PS-së po fshihet. Pa diskutim, edhe po vidhet. Po rendis:

1. PS ka marrë më 28 qershor 610.225 vota. Ato janë 71.978 vota më shumë se në vitin 2005 dhe 276.292 vota më shumë se më 2007-n!

2. PS ka marrë më 28 qershor në Qarkun e Beratit, 7542 vota më shumë se më 2005-n; në Qarkun e Durrësit 8493 vota më shumë; në Qarkun e Elbasanit 1260 vota më shumë; në Qarkun e Fierit, 17.214 vota më shumë; në Qarkun e Gjirokastrës, 1835 vota më shumë; në Qarkun e Korçës, 6149 vota më shumë; në Qarkun e Tiranës 49.205 vota më shumë; në Qarkun e Vlorës, 6294 vota më shumë.

3. PS ka marrë më 28 qershor 11.584 vota më shumë sesa Partia Demokratike.

4. PS ka marrë më 28 qershor në Qarkun e Beratit 17.427 vota më shumë sesa PD-ja; në Qarkun e Elbasanit, 10.821 vota më shumë se sa PD-ja; në Qarkun e Fierit, 28.002 vota më shumë sesa PD-ja; në Qarkun e Gjirokastrës, 5510 vota më shumë sesa PD-ja; në Qarkun e Korçës, 2142 vota më shumë sesa PD-ja; në Qarkun e Tiranës, 1676 vota më shumë se sa PD-ja; në Qarkun e Vlorës, 17.033 vota më shumë sesa PD.

5. PS ka fituar më 28 qershor në 7 nga 12 qarqet e vendit. PD-ja vetëm në 5 prej tyre.

6. PS ka fituar më 28 qershor, në Qarkun Berat, në të 22 njësitë vendore pa ndihmën e LSI-së. PS-ja ka fituar Bashkitë e Beratit, Kuçovës, Urës Vajgurore, Poliçanit me diferencë nga PD-ja, pa nevojën e votave të LSI-së…."

Dhe vazhdon më pas me të tjera argumente "politike":

"PS-ja ka fituar në Berat dhe në dy njësitë e vetme të administruara nga PD-ja, komunat Otllak e Cukalat.

7. PS ka fituar më 28 qershor, në Qarkun e Elbasanit në 28 njësi vendore, nga 40 të tilla, pa ndihmën e LSI-së. PD-ja ka fituar vetëm në 12 njësi. PS-ja ka fituar të gjitha bashkitë e qarkut, Bashkinë Gramsh, Belsh, Cërrik, Elbasan, Librazhd, Përrenjas, pa ndihmën e LSI-së, dhe duke rikthyer disa prej tyre që në 2007 i fitoi PD-ja.

8. PS ka fituar më 28 qershor, në Qarkun e Fierit në 36 nga 39 njësitë vendore pa ndihmën e LSI-së. PD-ja ka fituar vetëm në 3 njësi. PS-ja ka fituar të gjitha bashkitë e qarkut, Bashkinë Fier, Patos, Roskovec, Divjakë, Lushnjë, Ballsh, pa ndihmën e LSI-së, madje duke i rimarrë PD-së e LSI-së disa prej tyre.

9. PS ka fituar më 28 qershor, në Qarkun e Gjirokastrës në 15 njësi vendore nga 22 të tilla, pa ndihmën e LSI-së. PD-ja ka fituar në vetëm 7 prej tyre. PS-ja ka fituar në 5 nga 6 bashkitë e qarkut pa ndihmën e LSI-së, si në Bashkinë Përmet, Këlcyrë, Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, duke rikthyer disa prej tyre që në 2007 i administronte PD-ja. 10. PS ka fituar më 28 qershor, në Qarkun Korçë në 8 njësi vendore nga 30 të tilla. PD-ja ka fituar në 22 njësi vendore. PS-ja ka fituar 4 nga 5 bashkitë e qarkut pa ndihmën e votave të LSI-së, si Bashkitë Korçë, Maliq, Ersekë, Pogradec, duke rikonfirmuar tanimë e vetme fitoren e 2007-ës!!!

11. PS ka fituar më 28 qershor, në Qarkun e Tiranës në 19 njësi vendore nga 38 të tilla pa ndihmën e LSI-së, madje duke rimarrë disa prej njësive që prej 2007-ës administroheshin nga PD-ja e LSI-ja. PD-ja ka fituar në 19 njësi vendore. PS-ja ka fituar në 10 bashki të qarkut. PS-ja ka fituar me mbi 15.500 vota në Bashkinë e Tiranës pa ndihmën e votave të LSI-së. Ndërkohë, PS-ja ka fituar Njësinë 6, Njësinë 9, Njësinë 7 nga LSI, Njësinë 10 nga Bogdani i PD-së…".

Dhe, sikur të mos mjaftonte përmendja e katundeve, ku PS-ja paska fituar, autori, në vijim të një stilistike, e cila ka për mision trullosjen e mendjes njerëzore, shkon edhe më tej kur thotë me një krenari të habitshme:

"PS i duhet të rikuperojë vetëm 200 vota për të fituar Bashkinë e Peshkopisë, 900 vota për të fituar Bashkinë e Durrësit, 216 vota për të fituar Bashkinë e Bilishtit, 71 vota për të fituar Bashkinë e Lezhës, 36 vota për të fituar atë të Rubikut, 153 vota për të fituar Bashkinë e Rrëshenit. Doja që këto shifra t‘i ndaja me ju për të kuptuar më mirë secili prej nesh votën e 28 qershorit…".

Është e qartë që, në këtë mori numrash mungon vetëm një e dhënë, e cila në të vërtetë i bën pa vlerë gjithë të mësipërmet: sa për qind të votave kanë, së bashku, PS dhe koalicioni që ajo drejton? Sa për qind të votave kanë kundërshtarët dhe si përthyhen këto përqindje në deputetë?

Pas këtyre katër shifrave lipsej të fillonte të kryhej pikërisht analiza e shkaqeve të humbjes dhe e nxjerrjes së përgjegjësive, që nuk mund të degdisen as te komisionerët "tradhtarë", as tek Ilir Meta, por pikërisht tek Edi Rama dhe ata që e rrethuan me servilizëm gjatë katër vjetëve që ai drejtoi këtë parti. Mirëpo autori i mësipërm, i cili ka mbajtur një peshë jo të vogël në PS, na "habit" përfundimisht kur thotë: "Ndaj, dua të falënderoj dhe Edi Ramën, për gjithçka bëri me forcë, pasion, vullnet, bashkëpunim për të arritur këtë fitore me vota".

2.

Po në të vërtetë, në ç‘raporte janë numrat me politikën? Sa të varur janë? Sa mund të shpjegojnë dhe interpretojnë ata njëri-tjetrin?

Po të mbajmë parasysh se, në analizë të fundit, instrumenti i vetëm matës dhe vlerësues i politikëbërjes është vota e qytetarëve, pa asnjë dyshim që në këtë kuptim numrat janë të rëndësishëm. Po ata janë të rëndësishëm si elementë të analizës së politikëbërjes dhe të sjelljes politike, e jo të spekulimit propagandistik, si ai që cituam më sipër.

Pra, një analizë serioze politike, duke u mbështetur në ata katër numrat që përmendëm më sipër dhe që lidhen me përqindjet e koalicioneve dhe me vendet në Parlament - nga buron edhe e drejta për të qeverisur, - do të duhej të shtrohej ndryshe dhe pak a shumë si më poshtë:

Populli shqiptar nuk e mbështeti projektin tonë politik dhe ekipin qeverisës që ne i ofruam. Ne falënderojmë me këtë rast, si ata që na votuan, si ata që nuk na votuan dhe i ofrojmë bashkëpunimin tonë luajal ekipit qeverisës, në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Ne dimë ta respektojmë e ta lexojmë me korrektesë votën e qytetarëve. Ne kuptojmë se populli na besoi një detyrë, që është po aq e rëndësishme në demokraci: atë të mbrojtjes së lirive të tij, atë të zhvillimit të demokracisë dhe të sjelljes së jetës së vendit në parametrat që të gjithë e dëshirojmë. Ndërkaq, ne po ndjekim me vëmendje rrugën ligjore të ankimimeve, sepse pretendojmë që… 1, 2, 3, e kështu me radhë.

Ndërkaq, një analizë e thelluar në strukturat e partisë do t‘i shërbejë nxjerrjes së përgjegjësive….

Mirëpo kjo "politika e re" çdo ditë e më shumë po vërteton se është ku e ku më e vjetër se ajo "e vjetra". Më thoshte para disa ditëve, një miku im, tej mase i revoltuar: Jam shqiptar, nuk kam votuar për Edi Ramën. Me ç‘të drejtë ai më quan maskara?

Në të vërtetë kjo loja me numra, me protesta që sigurisht nuk kanë për të ndodhur, me maskarenj e shqiptarë, ka një arsye tjetër dhe nuk është shprehje e ndonjë keqkuptimi apo mosdijeje. Sot Edi Rama ndodhet para një vështirësie seriozisht të papërballueshme. Ai nuk ka se si thotë që populli nuk e votoi programin e tij, pasi ai nuk kishte një të tillë. Ai nuk mund të thotë që populli nuk e votoi ekipin e tij qeverisës, pasi ai nuk kishte një të tillë. Ai nuk mund të flasë për përgjegjësi që shpërndahen nëpër strukturat drejtuese të partisë, pasi ai nuk i ka konsideruar këto struktura. Ta shpërndajë përgjegjësinë te rrethi i shokëve që ka mbledhur në parti e ka të pamundur, pasi ishte vetë ai që i ftoi ata pa asnjë kriter.

3.

Pretendimet që mbështeten te numrat dhe te ngushtësia e distancës apo tek aleancat janë veçanërisht qesharake dhe vuajnë nga infantiliteti politik po të hedhësh sytë rreth e rrotull e të vëresh se si sillen shtete serioze dhe shoqëri të tjera me to. E para që duhet kuptuar është se sot konsiderohet fituese dhe bërthama e një mazhorance thuajse të qëndrueshme partia që merr diku në 30 për qind të votave. Në një shtet jo aq shumë larg nesh, siç është Sllovakia, për një periudhë të gjatë ka qeverisur një parti e vogël e qendrës së djathtë, që nuk i kapërceu kurrë 16 për qind të votave, por ishte partia e parë e vendit. Po kështu është situatë normale kjo gjendje në shumicën e vendeve me një demokraci realisht pluraliste, ku është kultivuar për dhjetëvjeçarë bashkëjetesa dhe kompromisi politik si çelës i kësaj bashkëjetese, ku qeverisja nuk është burim përfitimesh të paligjshme dhe emërim militantësh nëpër postet qeveritare, por përgjegjësi dhe shërbim. Madje jo në pak shtete, kryesisht dypartiakë, Kushtetuta e vendit përcakton se partia a koalicioni që del i pari në votime, përfiton një numër të caktuar vendesh ekstra që të mund të qeverisë i qetë në përmbushje të reformave konform programit qeverisës më të votuar nga populli.

4.

Kështu, nëse do t‘i kthehemi edhe një herë temës në fjalë që lidhet me raportin mes numrave dhe politikës, nuk është e vështirë të kuptohet nëse është e vërtetë që politika krijon numra (vota). E kundërta nuk ngjan të jetë e tillë. Ah, po, numrat dhe kompromisi i ndërtuar, për shkak të kokëfortësisë së tyre, përbëjnë pastaj bazën e një kompromisi që është sa qeveritar, aq edhe politik.

Më së shumti, në rastin në fjalë, numrat janë thjesht fijet e kashtës, ku zgjat dorën me shpresën e shpëtimit ai që po mbytet. Asgjë më shumë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›