Kthehen emigrantët, rradhë në kufi e port

Ka vazhduar edhe ditën e sotme fluksi i largimit të emigrantëve për në vendet e tyre të punës në shtetet fqinjë Greqi dhe Itali. Nga të dhënat e marra nga pikat e kalimit kufitar të Kakavijës numri i të larguarve për 12-të orët e fundit është 5400 persona dhe 2400 automjete, ndërsa në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës 4600 shtetas dhe 3000 automjete. Autoritetet doganore në të dyja pikat e kalimit kufitar kanë bërë të ditur se nuk janë shënuar radhë të gjata pritjeje nga emigrantët pasi nga të dyja anët e kufirit po punohet me kapacitet të plotë në sportelet për përpunimin e të dhënave për të larguarit. Në portin e Durrësit ka nisur kthimi i emigrantëve drejt vendeve të tyre të punës, e për pasojë janë shënuar edhe problemet e para, në këtë pikë kufitare. Probleme ka patur në lëvizjen e lirshme të trageteve, të cilat janë nisur nga porti i Durrësit me 3 deri në 6 orë vonesë. Po kështu, mos ardhja në kohën e duhur e tragetit "Riviera Adriatika", ka bërë që për më shumë se gjashtë orë të presin në shi rreth 400 udhëtarë, të cilët duhet të ishin imbarkuar në traget në orën 23.00. Sipas informacioneve të marra nga kompanitë mësojmë se vonesat e trageteve të natës së kaluar kanë ardhur për shkak se shumë pasagjerë që udhëtonin nga Kosova, Maqedonia si dhe nga veriu i Shqipërisë, kanë patur probleme përgjatë udhëtimit për shkak të borës dhe ngricës. Për këtë arsye emigrantëve iu është dashur të udhëtojnë që në orët e para të mëgjësit për të arritur në kohën e duhur në port.