Miqësisht te Berisha
“Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një takim miqësor me Presidenten e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, në rezidencën qeveritare në qytetin e Durrësit”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit shqiptar.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që takohej me Presidenten Jahjaja, ndërsa vlerësoi rolin e kontributin e saj në konsolidimin e Republikës së Kosovës si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
“Nga ana e saj, Presidentja Jahjaga i shprehu Kryeministrit Berisha ngushëllimet mё tё thella pёr humbjen e jetёve nё aksidentin tragjik nё Himarё, njё ngjarje qё tronditi thellё tё gjithё qytetarёt e Kosovёs”, thuhet në komunikatë.
“Në takim u diskutua mbi zgjerimin e bashkëpunimit të shkëlqyer që ekziston në të gjithë fushat midis Shqipërisë dhe Kosovës si interesi jetik i qytetarëve të dy vendeve. Në bisedime u trajtuan dhe zhvillimet nё rajon. Kryeministri Berisha dhe Presidentja Jahjaga vlerёsuan se progresi i gjithanshëm i Kosovës ka bёrё qё ajo të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti e bashkëpunimi nё rajon”, përfundon deklarata e Këshillit të Ministrave.