Kthehen mërgimtarët, pritje të gjata te Dheu i Bardhë

Me të përfunduar festat e fundvitit mërgimtarët nga Anamorava ia mësyn sërish pikës doganore ”Dheu i bardhë” për t’u kthyer në vendet e punës në shtetet perëndimore, por në doganë janë ballafaquar me pritje të gjata, njësojë sikundër edhe para një javë, kur ata vinin për në Kosovë për të kaluar këto festa me familjarët e tyre.
Kolonat e veturave të mërgimtarëve tanë te kjo pikëkalimi kufitar dje dhe sot është e gjatë, madje arrin 2 kilometra gjatësi, derisa pritjet e tyre të zgjasin për 3 - 4 orë.
Sipas një komunikate që ka lëshuar zyra e PK-së, e gjithë kjo pritje po bëhet për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe qytetarëve të cilët po shfrytëzojnë “Dheun e Bardhë” dhe pikëkalimin kufitar në Merdare, për tu kthyer në vendet prej nga kanë ardhur për festat e fundvitit, por edhe punës jo efikase të autoriteteve serbe.
“Me qëllim të përshpejtimit të punës dhe krijimit të mundësisë së qarkullimit më të shpejtë dhe evitimit të pritjeve të gjata të qytetarëve, Policia e Kosovës ka ngritur kapacitetet e veta të punës duke angazhuar zyrtarë policorë shtesë, si dhe ka informuar institucionet e vendit, në mënyrë që ato, përmes mekanizmave ndërkombëtarë të kërkojnë përshpejtimin e punës nga autoritetet policore serbe”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga policia./Indeksonline/