Kthehet Berluskoni, pak shanca për fitore

Bursat në Itali ranë me shpejtësi duke reaguar ndaj lajmit se Kryeministri Mario Monti ka në plan të japë dorëheqjen, ndërsa ish-kryeministri Silvio Berlusconi do të garojë sërish. Bursa e Milanos, bursa kryesore e Italisë, ra me 3.1 për qind. Edhe bursat në kryeqytetet e tjera të Europës pësuan rënie, ndërsa aksionet e bankave qenë ato që u goditën më rëndë.
Monti u bë udhëheqës i një qeverie teknokratësh në vitin 2011, pasi investitorët u shqetësuan për shëndetin ekonomik të këtij vendi. Partia e Lirisë e udhëhequr nga Berlusconi e tërhoqi mbështetjen e saj ndaj qeverisë Monti, ndërsa vetë Berlusconi konfirmoi se do të udhëheqë partinë e tij në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Monti pati planifikuar të qëndrojë Kryeministër deri në prill 2013, kur mandati aktual i Parlamentit përfundon. Ai shpresonte se kjo do të qe një kohë e mjaftueshme për të shpëtuar Italinë nga rrënimi financiar. Për shkak të krizës së shkaktuar nga Partia e Lirisë, zgjedhjet do të duhet të zhvillohen në shkurt.
Monti e zëvendësoi Berlusconin kur interesat e bondeve 10-vjeçare të Italisë shënuan kuotën 7.48 për qind në nëntor 2011. Pas largimit të Berlusconi-t, interesat ranë ndjeshëm dhe Italia u kursye nga telashet.
Por gjatë ditës së djeshme, bondet dhjetëvjeçare të Italisë në tregun sekondar u rritën me më shumë se 0.3 për qind duke arritur në 4.8 për qind interes vjetor. Mes bankave, Unicredit pa vlerën e aksioneve të saj të ulen me 6 për qind, ndërsa Monte dei Paschi di Siena ra me 7 për qind.
“Monti është ai që menaxhoi stabilizimin e Italisë dhe ndaljen e infektimeve nga Greqia”, deklaroi një analist bursash. “Dorëheqja e tij e papritur risjell rrezikun politik në ekuacion, diçka që ne e kishim harruar gjatë muajve të fundit”.
Qeveria e Italisë ka ngarkesën më të madhe me borxhe mes ekonomive të mëdha të eurozonës, në masën 123 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, gjë që e bën veçanërisht të vështirë për të, të zëvendësojë borxhin që maturohet me borxh të ri në kushtet kur humbet besimin e tregjeve. Edhe një rritje e lehtë e interesave rëndon buxhetin me miliarda euro.
Analistët tashmë i frikësohen faktit se Italia mund të kthehet në një teatër politik, me qeveri që rrëzohen njëra pas tjetrës dhe që rrjedhimisht nuk marrin masat e nevojshme për të zgjidhur problemet e vendit.
Monti është një ekonomist teknokrat që aktualisht po përgatiste buxhetin e Italisë për vitin 2013. Ai deklaroi se do të vijojë përpjekjet për të miratuar buxhetin para se të dorëzojë postin.
Një deklaratë nga zyra e Presidentit Giorgio Napolitano bëri të ditur se Monti “nuk mendon se është e mundur të vijojë mandatin e tij dhe rrjedhimisht bëri të ditur synimin për të paraqitur dorëheqjen”. Në rast se ligji për buxhetin do të miratohet “shpejt”, atëherë Monti do të konfirmojë menjëherë dorëheqjen, thuhet në deklaratë.
Europianët e tjerë lavdëruan Montin dhe bënë thirrje që qeveria e ardhshme të ndjekë axhendën e tij të reformave. Por vetë fushata e ardhshme elektorale pritet të luftohet pikërisht mbi axhendën e reformave të konceptuara nga Monti.
“Monti qe një Kryeministër i madh i Italisë dhe unë shpresoj që politikat që ai filloi të zbatojë, do të vijojnë pas zgjedhjeve”, tha presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, ndërsa gjendej në Oslo për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit “Nobel për Paqe”, që këtë vit iu dha Bashkimit Europian. Lavdërimet për të qenë të shumta edhe nga politikanë të tjerë europianë./Indeksonline./