Mësimdhënësit amerikan akomodohen në familjet kosovare

Rreth 20 mësimdhënës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikes, do të jenë pjesë e familjeve kosovare për disa ditë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja zhvilloi një takim me një delegacion nga ShBA, të kryesuar nga David Burgenss, udhëheqës i programit Amerikan "The Peace Corps" për Evropë, Mesdhe dhe Azi.
Temë e kësaj bisede ishte shqyrtimi i mundësive për implementimin e programit "The Peace Corps" në arsimin parauniversitar të Kosovës. Qëllimi i këtij programi është që të ofrohen më shumë njohuri për metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe krahas kësaj të kultivohet edhe ndjeja e punës vullnetare tek të rinjtë për të mirën e njerëzimit.
Mësimdhënësit vullnetarë nga Amerika do të vendosen të jetojnë së bashku me familjet vendore në shtëpi private të lokalitetit ku ndodhet shkolla, Koordinimin, përkatësisht vendosjen në shtëpi private dhe përcaktimin e niveleve të arsimit dhe të shkollave, apo komunave, ku do të zhvillojnë aktivitetin vullnetarët amerikan, do ta bëjë MAShT, ndërsa për këtë së shpejti do të caktojë një koordinator.
Ndryshe, sipas këtij programi, fillimisht rreth 20 mësimdhënës vullnetarë nga ShBA-të, do të jenë pjesëmarrës aktiv (ndihmës të mësimdhënësve vendor) në orën e mësimit.
I njëjti program po implementohet në Shqipëri dhe në Maqedoni me fokus në arsimin fillor (1- 5) dhe atë të mesëm të ulët (6 - 9).
Programi "The Peace Corps" do të ketë qasje edhe në fusha tjera të jetës në Kosovë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja zhvilloi një takim me një delegacion nga ShBA, të kryesuar nga z. David Burgenss, udhëheqës i programit Amerikan "The Peace Corps" për Evropë, Mesdhe dhe Azi./Indeksonline/