E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet Eddi de Nadai, dirigjon Bethoveenin

Koncerti i sotëm i orës 19.00 në sallën e madhe të Akademisë së Arteve ka dy jave që është paralajmëruar si një ngjarje jo e zakontë në llojin e vet, për dirigjentin dhe për instrumentistët që ekzekutojnë aty.


Me ftesë të Institutit Italian të Kulturës Maestro Eddi De Nadai pranoi të drejtojë Orkestrën Simfonike të Radio - Televizionit Shqiptar, dhe instrumentistët Pietro Massa në piano, Sergio Patria në violinçel dhe Suela Picirin në violinë, spala e Orketrës së Teatrit të Operës dhe Baletit.


Programi hapet me simfoninë n. 4 në la maxhor, e ashtuquajtura "Italiana", e F. Mendelssohn Bartholdy, do të ndiqet nga Andante spianato dhe nga Grande Polacca Brillante op. 22 në versionin me shoqërim orkestral të Chopin-it, në fund M° Eddi De Nadai drejton orkestrën dhe tre solistët gjatë ekzekutimit të Koncertit në Do Maxhor op. 56 për piano, violinë dhe violinçel të Beethovenit.


Nuk është hera e parë për maestro De Nadain ky bashkëpunim me institucionet shqiptare. Në Teatrin e Operës në Tiranë ka drejtuar ekzekutimin e parë absolut në Shqipëri të "Un Ballo in Maschera", 2006, dhe një prodhim të ri të Normës më 2009.


Maestro, pas diplomimit në piano dhe klaviçembal në Konservatorin e Venecias, ka studiuar Dirigjim Orkestre pranë Akademisë Filarmonike të Bolonjës, duke u perfeksionuar më pas me Donato Renzetti, Julius Kalmar e Romolo Gessi.


Pas deputimit si dirigjent me Orkestrën Sinfonike Hungareze të Pècs, ka drejtuar Berberi i Seviljes dhe disa koncerte liriko -simfonike në Teatrin e Operës së Shtetit të Smirnës dhe vepra të tjera në Teatrin Lirik të Shtetit të Krajovës (Rumani), Orkestrën e Dhomës të Friuli Venezia Giulia.


Ka bashkëpunuar me këngëtarë me famë botërore si Luciana D'Intino, Katia Riciarelli, Ferruccio Furlanetto, Leo Nucci. Është docent në Konservatorin e Venecies.


Pietro Massa, pas studimeve në piano në Paris me Aldo Ciccolinin dhe kompozicion në Milano me Bruno Bettinellin, që prej vitit 1999 është transferuar në Berlin, ku ka bërë një karriere pianistike që sot i kalon 200 koncerte me turne në gjithë botën.


Sergio Patria, i diplomuar në Konservatorin e Aleksandrisë, është violinë e parë soliste në Orkestrën Sinfonike të Bogotës, në Stadttheater të Lucernës. Është themeluesi i Trios G.F.Ghedini dhe të Nuovo Insieme Strumentale Italiano të cilave, paralelisht në duo me pianisten Elena Ballario, i dedikon një pjesë të mirë të aktiviteve të tij të muzikës së dhomës.


Suela Piciri, e diplomuar me rezultate të larta në Akademinë e Arteve në Tiranë më 1999, është në rolin e Violinës së Parë në Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës në Tiranë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›