Programi qeverisës, të përndjekurit të zhgënjyer nga Berisha
Shoqata e të përndjekurve i paraqet Berishës një sërë kërkesash me karakter politik e ekonomik
TIRANË- Të përndjekurit politikë të pakënaqur nga trajtimi, që i ka bërë në përgjithësi klasa politike në vend dhe qeveria demokratike në veçanti, i kanë parashtruar dje mazhorancës së djathtë një sërë kërkesash me karakter politik dhe ekonomik.
Në një komunikim me mediat, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, Besim Ndregjoni duke analizuar situatën politike në vend, ka shprehur indinjatën e këtij grupimi shoqërorë për harresën, që Berisha i bëri në programin e tij qeverisës.
"I bëjmë me dije Kryeministrit të Shqipërisë zotit Sali Berisha si dhe opinionit publik në tërësi se integrimi i të përndjekurve politikë është detyrim moral ligjor dhe kombëtarë, dhe jemi tepër të indinjuar që në programin e qeverisjes për periudhën 2009 - 2013, paraqitur nga Kryeministri nuk flitej për integrimin e të përndjekurve politike", - tha Ndregjoni në deklaratën e vet në emër të kryesisë së shoqatës. Ndërkohë, kjo shoqatë i ka paraqitur qeverisë së re një sërë kërkesash duke filluar me hartimin e një strategjie kombëtare, për trajtimin e kësaj shtrese.
Gjithashtu kjo shoqatë i ka kërkuar kreut të qeverisë që të marrë parasysh kontributin e kësaj shtrese dhe t'i përfaqësojë ata në nivelet e ndryshme të qeverisjes bazuar kjo në moralin dhe profesionalizmin e kapaciteteve intelektuale të përfaqësuesve të saj.
Por, përveç kërkesave me natyrë ekonomike, shoqata e të përndjekurve ka evidentuar edhe disa objeksione të sajat me karakter politik, siç është ajo për dënimin e krimeve të komunizmit dhe veçanërisht të Enver Hoxhës. Në këtë kuadër ata kërkojnë që në sheshin "Skënderbej" në vendin ku më parë ngrihej shtatorja e diktatorit Hoxha të ngrihet një memorial kushtuar të rënëve në regjimin komunist.