Zbardhet vendimi i pushimit të akuzave ndaj Mediut
TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë zbardh vendimin e pushimit të akuzave ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, të pandehurit deputet Fatmir Mediu, duke bërë publike edhe mendimin e pakicës së pesëshes gjykuese të këtij kolegji penal.
Sipas vendimit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Besnik Imeraj, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea kanë votuar pro pushimit të akuzave ndaj Mediut, ndërsa gjyqtarët Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako kanë votuar kundër pushimit të akuzave, duke kërkuar nga kolegët e tjerë vazhdimin e gjykimit për akuzën e "shpërdorimit të detyrës".
Sipas këtij vendimi, gjyqtarët e Gjykatës Supreme, kanë renditur argumentet dhe interpretimet e tyre juridike të nenit 73 të Kushtetutës, ku tre nga gjyqtarët e interpretuan këtë nen si taksative për mos vazhdimin e procedimit penal ndaj Mediut, ndërsa, dy të tjerët si një nen që nuk e mbron ish-ministrin nga procedimi, pasi Kuvendi kishte vendosur kohë më parë heqjen e imunitetit të tij parlamentar.
Më poshtë "Shekulli" boton njërën nga pjesët kryesore të mendimit të pakicës të argumentuar nga gjyqtaret Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako, për mos pushimin e akuzave ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes tashmë ministër i Mjedisit deputetit Fatmir Mediu.
Vendimi
"Në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në doktrinën juridike është parashikuar qartë instituti i imunitetit parlamentar dhe ai i mandatit .Mandati në vetvete është forma me të cilën vishet përfaqësimi politik, respektivisht delegohet ushtrimi i pushtetit shtetëror.
Imuniteti nuk është gjë tjetër veçse një veshje mbrojtëse që i bëhet mandatit të deputetit për të parandaluar ndjekjen penale nga organi i hetimit pa autorizimin e Kuvendit.
Qëllimi i paprekshmërisë penale është pikërisht mënjanimi i mundësive të ndjekjeve arbitrare dhe të pabazuara në ligj, që do të pengonin përfaqësuesin e popullit të kryente misionin e tij për të cilin ai është zgjedhur.
Fryma e Kushtetutës nuk është paprekshmëria absolute e deputetit. Paprekshmëria e tij është një shmangie nga parimi i përgjithshëm i barazisë së shtetasve para ligjit, prandaj ajo duhet të zbatohet në mënyrë të kufizuar vetëm për efektin që thamë më lart.
Në rastet ku organi i prokurorisë kërkon nga Kuvendi autorizimin për të ndjekur penalisht një person me imunitet siç është në rastin konkret deputeti Mediu, detyra e parlamentit nuk është gjë tjetër veçse të shqyrtoje nëse kjo kërkesë është e përligjur apo jo, sepse në të kundërt do të hynte në kompetencë të organeve të drejtësisë.
Kuvendi në këtë rast vetëm çmon nëse ndjekja penale cenon pavarësinë e parlamentit në përgjithësi dhe të deputetit konkret në veçanti, pra nëse ndjekja sjellë pasoja për funksionim e mirë të parlamentit, apo mos është vetëm një pretekst për të goditur deputetin apo grupin e tij parlamentar. Ky shqyrtim nga parlamenti ka karakter thjesht politik që do të thotë se i siguron liri veprimi drejtësisë pa paragjykuar nëse deputeti është ose jo fajtor.
Në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë e ka dhënë njëherë autorizimin duke lejuar organin procedues të kryejë procedimin përkatës, presupozohet që e ka ushtruar një kontroll të tillë dhe e ka çmuar të drejtë kërkesën e tij.
Për pakicën kërkesa kushtetuese që i paraqitet Kuvendit për dhënien e autorizimit për procedimin e një kategorie personash, përfshirë edhe deputetet dhe dhënia në fakt e këtij autorizimi nuk presupozon zhveshjen e personit konkret nga mbrojtja e veçantë që ai gëzon për shkak të imunitetit parlamentar, të cilën e ka fituar me zgjedhjen nga elektorati dhe konfirmimin nga KQZ-ja.
Përkundrazi, pas dhënies së autorizimit për procedim, madje dhe pas marrjes së tij si i pandehur, deputeti ashtu sikurse ndodhi dhe me të pandehurin Fatmir Mediu, vazhdon të ushtroje funksionet e tij si deputet duke gëzuar të drejtat dhe garancitë ligjore përfshirë dhe mbrojtjen e posaçme juridiko-penale për veprime të drejtuara kundër tij dhe që përbëjnë vepër penale, pa kufizim, njëlloj si edhe deputetet e tjerë.
Autorizimi për procedim i dhënë nga Kuvendi është parakusht për organin procedurës pa të cilin ky i fundit nuk mund të kryeje një numër veprimesh procedurale përfshirë edhe marrjen si të pandehur.
Fakti që i pandehuri Fatmir Mediu u rizgjodh si deputet në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të konsiderohet se ka shërbyer për të krijuar një gjendje të re juridiko kushtetuese për sa i përket imunitetit parlamentar në përgjithësi dhe kuptimit e qëllimit të autorizimit për procedim në veçanti.
Ky i pandehur u rizgjodh deputet po i Kuvendit të Shqipërisë, organ ky i cili pavarësisht numrit progresiv të legjislaturave të tij (nga 17 në 18) ishte shprehur tashmë pozitivisht për kërkesën e organit të procedurës për dhënien e autorizimit për procedim mbi bazën e po atyre fakteve për të cilat ishte duke vazhduar shqyrtimi gjyqësor i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas mendimit të pakicës, vijimësia e efekteve kushtetuese dhe juridiko-penale të autorizimit të dhënë njëherë nga Kuvendi është rrjedhojë e vijimësisë së veprimtarisë së këtij organi kushtetues pavarësisht ndarjes në legjislatura dhe ndryshimeve që ndodhin në përbërjen nominale të tij për shkak të zgjedhjeve të reja.
Jemi në kushtet e gjykimit të se njëjtës çështje për të cilën është marrë njëherë autorizimi nga organi procedurës. Ne pakica mendojmë se dhënia e një autorizimi të ri për të njëjtën çështje është një tejkalim në interpretimin dhe qëllimin e nenit 73 të Kushtetutës. Në këto kushte jemi dakord me kërkimin që bëri organi i akuzës për vazhdimin e këtij gjykimi.
Përveç sa më sipër nuk e mendojmë të drejtë referimin ligjor të bërë nga shumica në nenin 290 të K.Pr.P. Kjo dispozitë parashikon rastet kur procedimi nuk mund të fillojë ose në rast se ka filluar duhet të pushojë. Rasti objekt gjykimi nuk përfshihet në asnjë parashikim të kësaj dispozitë.
Në vendimin e shumicës arsyetohet se Gjykata e Lartë ka mbajtur po të njëjtin qëndrim (ka pushuar çështjen) kur ka gjykuar të pandehurin Azgan Haklaj, mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit.
Theksojmë se rrethanat për çështjen e mësipërme nuk janë të njëjta me rrethanat e çështjes objekt gjykimi. Shtetasi Azgan Haklaj u zgjodh deputet për herë të parë pasi ndaj tij kishte filluar procedimi penal, madje pasi ishte vendosur masa e sigurimit "arrest në burg" dhe ishte marrë si i pandehur.
Patjetër që edhe për pakicën, me zgjedhjen e tij si deputet, u krijua një rrethanë krejtësisht e re për këtë person, kapërcimi i së cilës pa marre autorizimin nga Kuvendi do të binte ndesh me ndalimin kategorik të pikës 2 të nenit 73 të Kushtetutës.
Në analizë të gjithë sa thamë më lart mendojmë se procedimi penal nuk duhej pushuar.
Gjyqtare Gjyqtare
Evjeni Sinoimeri Evelina Qirjako