E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet drafti për tokat bujqësore, Rusmajli kundër Rulit

Ndryshimet e propozuara nga qeveria në ligjin e vitit 95 për kalimin në pronësi të tokës bujqësore pa shpërblim familjeve bujqësore ose individëve, që e kanë atë në përdorim, kanë risjellë në vëmendje çështjen e pronësisë. Dje gjatë diskutimeve në Komisionin e ligjeve kryetari Ilir Rusmajli, i ka kthyer mbrapsht Ministrisë së Bujqësisë ligjin për titujt e pronësisë mbi tokat bujqësore, duke i kërkuar një draft që të mbyllë procesin dhe jo të krijojë konflikte të reja pronësie.
Drafti
Projektligji i ministrisë synon tu japë tapinë për tokën në fshat individëve apo familjeve që e kanë në përdorim prej 20 vitesh dhe që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore, por nuk e kanë privatizuar. Nisma sot godet në zemër ligjin bazë, prandaj mos na e shfuqizoni ligjin bazë, merrni dhe mbyllni veprimin e atij ligji. Merrni dhe sillni këtu nismën që mbas këtij procesi ligji bazë nuk ekziston më, shfuqizohet pas mbylljes së këtij procesi, që ne ta dimë me siguri çfarë po bëjmë. Po mbyllim një proces që nuk është mbyllur dot për shkak të burokracive administrative, apo po hapim një spirale të re siç ka frikë kolegu Mediu, tha Ilir Rusmajli, kryetar i komisionit të ligjeve.
Mediu
Nga ana e tij kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i propozoi Kuvendit të mos shpërndajë tapi në masë, por vetëm subjekteve që disponojnë certifikatën e përdorimit të tokës të marrë konform ligjit 7501. Tokën e atyre që nuk e disponojnë këtë certifikatë, Mediu propozoi që të kalohet në fondin fizik të kompensimit të ish-pronarëve. Janë 17.335 ha tokë të ndërmarrjeve bujqësore të cilat janë pjesë e fondit të kompensimit fizik të AKKP-së. Asnjë cm katror nga këto nuk është kthyer sot për një arsye të thjeshtë, sepse këto nuk janë toka të lira, por të zaptuara. Nëse ne nuk do të shmangim pikërisht abuzimin mbi këto toka ne nuk mund të kthejmë asnjë cm tek pronarët legjitim. Ky ligj duhet të ketë vëmendjen e përjashtimit të çdo individi që ka përfituar në mënyrë të paligjshme, tha Mediu.
Ekspertët
Do të plotësohen me dokumentacion vetëm familjet bujqësore, ose individët që kanë qenë punonjës të ish/ndërmarrjes bujqësore në 1 gusht të vitit 1991, duhet të jenë me gjendje civile të pandryshuar. Tokën duhet ta kenë aktualisht edhe sot e kësaj dite në përdorim dhe të ushtrojnë aktivitet bujqësor, tha Irfan Dorelli, specialist. Dy ditë më parë komisioni miratoi projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Vetëm gjatë viteve të fundit, në ligjet që prekin pronat në Shqipëri janë bërë me dhjetëra ndërhyrje, por asnjë prej këtyre ndryshimeve nuk i ka dhënë zgjidhje çështjes së pronave në vendin tonë.

Ekspertët: Parashikohen shkurtime në buxhet
Eksperti i ekonomisë dhe deputeti i Partisë Demokratike, Selami Xhepa, paralajmëron se mund të lind nevoja për shkurtime në buxhet, nisur nga ecuria e ekonomisë muajt e parë të vitit 2012. Por edhe zhvillimet e parashikuara për vitin 2012 janë bërë me dije besoj që do të jenë më modeste në raport me vitet e kaluara, ku efektet e krizës do të jenë të manifestuara me fuqimisht dhe për rrjedhojë edhe zhvillimet në përgjithësi në kërkesën e brendshme do të jenë më modeste. Sigurisht që zhvillimet në tremujorin e dytë do të jenë themelore, për të gjykuar mbi gjysmën tjetër të vitit dhe për të parë pastaj edhe mundësinë e ndryshimeve buxhetore, që i bëhen programit buxhetor, siç është bërë një traditë e përhershme, tha Xhepa. Financimi i investimeve më të rëndësishme të buxhetit, tashmë është i garantuar, por nuk përjashtohet mundësia që në disa programe më pak prioritare, të ketë shkurtime. Në qoftë se do të bëhet fjalë për tkurrje investimesh publike, ose për tkurrje programi të shpenzimeve buxhetore, atëherë mendoj që qeveria do të shohë sërish mundësitë e krahut të shpenzimeve operative, megjithëse duhet thënë se niveli i shkurtimeve të realizuar edhe gjatë vitit të kaluar ka qenë thelbësor, duke bërë që edhe shpenzimet të jenë në nivelet më të ulëta historike të para ndonjëherë, tha Xhepa.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›