Kthehet koka e Zeusit, në dilemë ruajtja
Koka e Zeusit është kthyer përfundimisht në Shqipëri. E vendosur në një kuti qelqi, është ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, ku u mbajt edhe ceremonia e rastit. Ishte zgjedhur dita ndërkombëtare e muzeve për ta kthyer këtë rast të trafikimit të pasurive të rëndësishme kulturore në një mesazh që ministri i Kulturës, Ardjan Turku, e ka cilësuar si "rast të angazhimit serioz dhe përkushtimit të një shteti". Koka e Zeusit-Asklepius, perëndi e mjekësisë sipas mitologjisë greke, kthehet 18 vjet pas grabitjes nga Muzeu Arkeologjik i Butrintit në vitin 1991. Pas procedurave të gjata për kthimin, kësaj vlere të rëndësishme të kulturës nuk i është gjetur ende vendi ku do të vendoset. Fillimisht besohej se Zeusi do të shkonte sërish në Butrint, ashtu siç u bë edhe me dy statujat e kthyera nga Greqia. Por ministri Turku, në konferencën për shtyp, u shpreh se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar: do të qëndrojë në Muzeun Historik Kombëtar ku është ekspozuar për momentin, apo do t‘i kthehet muzeut të Butrintit. Sipas tij, do të mblidhet një grup ekspertësh për të gjykuar mbi këtë. Apriori mendohet se motivi i kësaj mëdyshjeje është siguria. Ndërsa drejtori i parkut të Butrintit, Ylli Cerova, mendon se objekti do t‘i kthehet muzeut prej nga u grabit, drejtori i MHK-së, Kasëm Biçoku, u shpreh se është plotësisht e ligjshme që Muzeu Kombëtar të marrë objekte të një rëndësie të veçantë për kulturën shqiptare. Gjatë ceremonisë, ministri Turku theksoi disa herë se shteti shqiptar është poseduesi ligjor i kësaj vepre, duke vënë në dukje se edhe shuma prej 20 mijë eurosh është paguar nga qeveria. Më parë, kur ende procesi gjyqësor ishte hapur, me vullnetin e tyre, dy futbollistët e njohur shqiptarë, Igli Tare dhe Lorik Cana, ofruan 20 mijë euro për sjelljen e kokës së Zeusit në Shqipëri. Por Turku shprehet se e vlerëson sjelljen e tyre qytetare, duke theksuar se ata nuk kanë asnjë të drejtë ta marrin, transportojnë apo ta dorëzojnë diku objektin. Më parë ishte deklaruar se futbollistët do t‘ia dorëzonin presidentit. "Futbollistët kanë bërë një ndërhyrje për pagesën, kanë ngrirë llogarinë prej 20 mijë eurosh në kohën që ajo duhej si garanci për blerësin italian e kur kishte një afat të përcaktuar kohor. Që në momentin që kam ardhur si ministër, asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim që pagesa do të bëhet nga shteti shqiptar. Ambasada jonë në Itali ka bërë derdhjen e parave në numrin e llogarive. Blerësi i vetëm është shteti shqiptar. Dy futbollistët, përtej gjestit fisnik që kanë bërë, nuk kanë asnjë të drejtë pronësie dhe mund ta tërheqin në çdo kohë shumën që kishin ngrirë", është shprehur ministri. Koka e Zeusit u ble nga një koleksionist italian në shtëpinë e ankandeve "Christis" për 20 mijë euro, por është bllokuar më pas nga policia italiane, pas verifikimit se është një vepër e rëndësishme e kulturës shqiptare. Sipas ministrit, tashmë po vazhdojnë procedurat ligjore me shtëpinë e ankandeve, e cila nuk duhet të kishte shitur një objekt që rezultonte i vjedhur. Duke folur për shifrat e objekteve të trashëgimisë kulturore që trafikohen çdo vit në botë, rreth 50000 të tilla, ministri Turku është shprehur se "Shqipëria, një vend që ndodhet në një kryqëzim kulturash, ka vlera të papërsëritshme të trashëgimisë kulturore, por për shkak të zhvillimeve historike specifike të saj, sidomos pas viteve ‘90, ka pësuar kohë pas kohe një ‘varfërim‘ të tyre, edhe pse jo në masë të konsiderueshme". Por, përveç kësaj ceremonie, Dita Ndërkombëtare e Muzeve e ka gjetur Muzeun Kombëtar në Tiranë me mjaft probleme. Nga projekte rikonceptimi për pavijonet, projekte të ngrira për momentin, muzeu u ofron vizitorëve vetëm gjysmën e potencialit të tij. Ndërsa nga ana tjetër ka probleme të kujdesit mirëmbajtës ndaj objekteve të ekspozuara apo të fondit ku rasti më flagrant është ai i qindra ikonave.