E Diel, 1 Nëntor 2026

Frano Prendi, një jetë kushtuar arkeologjisë

I ka kushtuar një jetë arkeologjisë. Profesor Frano Prendi rreshtohet ndër arkeologët e parë që e vunë në baza shkencore këtë fushë. Një ceremoni në vlerësim të punës së tij i është kushtuar dje me rastin e 80-vjetorin të lindjes dhe promovimit të botimit të një pjese të veprimtarisë së tij të gjerë dhe të rëndësishme shkencore. Drejtoresha aktuale e Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongecaj, është shprehur se prof. Frano Prendi njihet prej të gjithë studiuesve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, si themelues i shkencës së arkeologjisë prehistorike shqiptare, së cilës iu përkushtua me këmbëngulje dhe pasion të jashtëzakonshëm gjatë një periudhe prej rreth një gjysmë shekulli, duke dhënë me punën e tij kërkimore e studimore një ndihmesë themelore dhe të papërsëritshme. Ai është njëherazi një nga lëvruesit e parë që kanë hedhur bazat në fushën e studimeve ilire në Shqipëri. Nismëtar i kërkimeve më të hershme në këto fusha, ai është edhe themelues i mendimit shkencor, mbi të cilin u mbështetën kërkimet e mëtejshme në to. I pranishëm në këtë ceremoni, Prendi ka falënderuar kolegët për këtë vlerësim, të cilin ai e konsideron jo vetëm për meritat e tij, por edhe për brezin e arkeologëve me të cilët ai punoi, tashmë të ndarë nga jeta. "Kemi kaluar momente të bukura, por edhe të vështira gjatë punës. Herë-herë na është dashur të flemë edhe jashtë, në qiell të hapur. Asokohe ishin kushte të vështira për arkeologët. Sot janë të gjitha mundësitë për të kryer punë në nivele të larta shkencore. Por ne na karakterizonte pasioni", ka thënë arkeologu, i cili u ka "falur" 50 vite jetë gërmimeve dhe studimeve arkeologjike. Ndërsa kolegët, një pjesë e mirë ish-nxënës të tij, kanë vlerësuar kontributin e tij, janë promovuar edhe dy botime të profesorit, "Bronzi i hershëm në Shqipëri" dhe "Studime arkeologjike". Me këtë rast, Prendi është shprehur se "nëse do të kem edhe sadopak jetë, edhe këtë do t‘ia kushtoj arkeologjisë. Atëherë, kur mendoja se fuqitë mund të më kishin shteruar, kjo ceremoni më nxit të them se me pak mund do të doja t‘i realizoja edhe tri libra të tjerë. Sigurisht që forcat fizike nuk do të ma lejonin një punë tërësisht të vetme. Shpresoj që me bashkëpunëtorët e mi të ngushtë t‘ia dal mbanë". Arkeologu vlerësohet për punën e bërë në zbulime të rëndësishme në disa qytete shqiptare, por veçanërisht për fushën e Maliqit. Aplikues i metodave bashkëkohore në gërmimet arkeologjike të prehistorisë, Prendi ka meritën të jetë krijuesi i shkollës së prehistorisë shqiptare, në të cilën u përgatit një brez i tërë prehistorianësh që punojnë edhe sot në këtë fushë. Prof. Frano Prendi ndërmori gërmime në shumë vendbanime prehistorike, por më tepër pati për zemër atë që lidhet veçanërisht me emrin e tij, vendbanimin shumështresor të Maliqit. Maliqi ku ai gërmoi me ndërprerje, përgjatë dhjetë fushatave, nga viti 1961 e deri në 1990, do të mbetet në historinë e arkeologjisë shqiptare si vendbanimi i parë stratigrafikisht i gërmuar dhe i studiuar dhe si shkolla e parë e përgatitjes së kuadrove të reja në fushën e arkeologjisë prehistorike. Ai e zgjeroi hapësirën e studimit edhe në zona të tjera të Shqipërisë, për të krijuar një pamje sa më të plotë të zhvillimit prehistorik të vendit tonë. Kështu ndërmori një numër gërmimesh në Kamnik të Kolonjës, në Podgori dhe në Sovjan të Korçës, në Blaz dhe në Nezir të Matit, në Belaj të Shkodrës etj. Ndihmesa e tij shtrihet edhe në fushat e arkeologjisë antike ilire dhe mesjetare. Në fushën e arkeologjisë antike vlen të përmenden gërmimet në Apoloni, në qytetin ilir të Irmajt në Gramsh, në atë të Lisit etj. Ndërsa në atë të arkeologjisë mesjetare, me rëndësi të veçantë është gjurmimi dhe kërkimi i vendvarrimit të Skënderbeut, të cilin ai e identifikoi në rrënojat e katedrales së Shën Kollit në Lezhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›