Kthehet në atdhe kontingjenti “OMLT-2” – përfunduan me sukses misionin në Afganistan
Imami: Forcat tona përmbushin me sukses detyrat
U zhvillua ceremonia e pritjes së Kontingjentit “OMLT-2”, i cili përfundoi me sukses misionin në Afganistan. Në këtë ceremoni mori pjesë ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, zv.ministri Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu, zv.shefat e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Viktor Bërdo dhe gjeneral brigade Sandër Lleshi, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave tona të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, duke iu drejtuar trupave të Kontigjentit “OMLT-2” u shpreh: “Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë ne, sepse ju ktheheni me mision të realizuar, nga një mision me vështirësi dhe rrezikshmëri të lartë, nga një mision që kërkon një përgatitje të lartë dhe që jep njëkohësisht edhe një kontribut të lartë për operacionet e Aleancës në Afganistan. Ju e kryet me nder, profesionalizëm dhe përkushtim këtë detyrë dhe unë në emrin tim dhe të Ministrisë së Mbrojtjes ju përshëndes”.
Ky ekip, ka vijuar më tej ministri Imami, u dërgua me mision më 8 mars 2012 për kryerjen e detyrës së vështirë dhe fisnike të trajnimit të një batalioni të Ushtrisë Kombëtare Afgane sipas kërkesave operacionale të Komandantit të ISAF të drejtuar nga NATO. Për të arritur deri ditën e marrjes së detyrës këtij ekipi iu desh një proces i gjatë trajnimi, stërvitje dhe certifikimi nga NATO për 7 muaj në Shqipëri, po ashtu edhe në qendrat e vlerësimit dhe certifikimit të NATO-s në Gjermani të realizuara tërësisht sipas standardeve më të përparuara të Aleancës. “Në këtë mision Forcat tona të Armatosura patën drejtimin dhe kontrollin operacional, ku përfshiheshin edhe trupat e Gardës së Neë Jersey. Ky ishte një nder dhe mbetet i tillë sepse tregon besimin e madh të SHBA-ve, të Departamentit të Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura të SHBA-ve ndaj një vendi të vogël, por një vendi besnik të NATO-s, një vendi partner, i cili është i përkushtuar në kryerjen dhe realizimin e të gjitha detyrave të tij për paqen dhe sigurinë në kuadrin e Aleancës”, ka theksuar ministri Imami.
Gjithashtu, ministri Imami ka shprehur një konsideratë të veçantë për Gardën Kombëtare të Neë Jersey dhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak me SHBA-në në Ministrinë e Mbrojtjes për ndihmesën e tyre në përgatitjen dhe kryerjen e misionit fisnik nga ekipi OMLT “Striking Eagles-2”. Përvoja e fituar dhe mësimet nxjerra nga ekipi juaj, nënvizoi ai, do t’i shërbejë më së miri punës sonë për përgatitjen dhe konsolidimin e punës së Forcave të Armatosura në përgatitjen e kontingjentve dhe ekipeve të rradhës.
Në fund të fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Imami shprehu edhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes për kryerjen me nder të misioneve të tjera paqeruajtëse në emër të paqes dhe sigurisë globale, si dhe i uroi paqerujtësve suksese në karrjerën e tyre të pasur.
Në përfundim të ceremonisë, komandanti i Kontingjentit “OMLT 2”, nënkolonel Enver Lako, pas përfundimit me sukses të misionit në Afganistan, i dorëzoi Flamurin Kombëtar ministrit të Mbrojtjes Imami.
Kontigjenti “OMLT-2” përbëhej nga 32 ushtarakë, prej të cilëve 20 oficerë dhe nënoficerë të FA Shqiptare dhe 12 oficerë dhe nënoficerë të Gardës së Neë Jersey, SHBA, të cilët realizuan me nder misionin OMLT (trajnues) në Kabul, në kuadër të kontributit në Forcën Ndërkombëtare të Asistencës dhe Sigurisë (ISAF) të NATO, në Afganistan. Kontingjenti “OMLT- 2” u zëvendësua para pak ditësh nga Kontingjenti “OMLT- 3”, i cili edhe ai do të kryej për 6 muajsh rresht misionin e tij në Afganistan përkrah ushtarakëve të vendeve aleate.