“Edi Rama nuk mund të bëjë kurban Integrimin, për Fierin”
Flet ish-deputeti i PS, Kastriot Islami: “Heqja e antenave në asamblenë e Partisë Socialiste ishte një veprim paranojak”
Ish-deputeti socialist Kastriot Islami deklaroi se mesazhi i Sekretares së Departamentit Amerikan të Shtetit, Clinton, ishte që politika të bashkëpunojë për përmbylljen e reformave për statusin të vendit kandidat. Në një prononcim për mediat deputeti Islami theksoi se plotësimi i standardeve zgjedhore është me rëndësi për integrimin e vendit. Sipas tij, zbatimi i kodit zgjedhor nga partitë politike, ishte dhe mesazh i zonjës Clinton në parlament, që dha shembullin dhe modelin e bashkëpunimin e saj me presidentin Obama për çështje me interes kombëtar, edhe pse para zgjedhjeve kishin një konkurrencë programesh. Rasti konkret, të lihen interesat e ngushta partiake, dhe t’i lemë për 15 ditë çështjet lokale dhe të votojmë reformat e mbetura në parlament.
Më pas, deputeti Islami nënvizoi se i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli të mbledhë Konferencën e Kryetarëve të partive politike parlamentare për të futur në agjendën e votimeve në parlament tre reformat, kjo kërkesë dhe ndërkombëtarëve. Opozita vazhdon sipas tij, të nxjerrë justifikime me çështjen e Fierit, për të mos votuar integrimin.
“Nuk mund të bëhet kurban Integrimi, për Fierin, sepse janë dy gjëra që s’kanë lidhje me njeri-tjetrin. Modeli i zotit Rama, është të ndërkombëtarizojë çështjet më të vogla, duke nxjerrë pretekste për të bllokuar integrimin. Interesi partiak i Ramës mbetet te dilema psikologjike, ç’ka reflekton pasigurinë nëse Berisha fiton me Integrimin a fiton dhe zgjedhjet? Rama nuk fiton me pengimin e integrimin sepse kjo ka kosto, duke mos qenë bashkëpunuese humb shumë në sytë e opinioni publik”, u shpreh ish-deputeti Kastriot Islami.
Deputeti Islami deklaroi se opozita duhet të kish qenë bashkë-aksionere në proceset e integrimit, të lëvizjes së lirë, të anëtarësimit në NATO, në marrjen e Statusit të vendit Kandidat.
“Partia Socialiste është rreshtuar pas dy opinioneve, të marrjes peng të integrimit nëpërmjet rastit të Fierit, sepse kjo çështje nuk zgjidhet me marrjen apo me mos marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Çështja e Fierit është e pabesueshme si kusht për të bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. Opozita, përgjegjëse për mos marrjen e statusit kandidat”, vijoi Islmai.
Në lidhje me radikalizmin politik, deputeti Islami theksoi se radikalizmi i ardhur nga partitë e opozitës është konsumuese për opozitën sepse asnjëherë nuk ka sjellë suksese elektorale. “Sjellja radikale sjell frikë dhe motivon kundërshtarin. As ndihmon partitë e reja të futen në parlament, zoti Topi kërkon të krijojë një hapësirë identitare për të futur në politikë. Rama po krijon një parti klienteliste-private”, u shpreh më tej deputeti Kastriot Islami.