SHBA heq taksat me Republikën e Kosovës
Presidenti Bush i propozon kongresit
Sipas tij, kjo do të zhvillojë vendin e ri
Në krah të ekonomisë së brishtë kosovare, e cila po haset me vështirësi të krijuara edhe nga fqinji serb, që nuk lejon kalimin e mallrave me vulën e shtetit të ri, kanë dalë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aleati i vjetër i Kosovës nuk ka hequr dorë nga mbështetja edhe pas realizimit të pavarësisë dhe shpalljes shtet më vete, por ka vendosur ta ndihmojë për të kapërcyer problemet me ekonominë. Siç bëjnë të ditura agjencitë amerikane të lajmeve, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, në prag të largimit të tij, ka vendosur të propozojë heqjen e taksave doganore për prodhime të caktuara, të cilat importohen nga Kosova në Shtetet e Bashkuara. Vendimi i Presidentit Bush i është dërguar Kongresit Amerikan. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur lajmin, duke sqaruar se Kosova do të jetë pjesë e listës së shteteve, të cilëve u mundësohen disa lehtësira të caktuara tregtare në bazë të programit për Sistemin e Përgjithshëm Preferencial. "Unë kam vendosur që Republika e Kosovës të emërohet si vend në zhvillim që gëzon përfitimet nga programi i Sistemit të Përgjithshëm Preferencial", - thuhet në vendimin e Presidentit Bush. Vendimi i Presidentit Bush iu dërgua menjëherë Kongresit Amerikan. Vendimi ka të bëjë me heqjen e taksave doganore për prodhime të caktuara, të cilat importohen në Shtetet e Bashkuara. Sistemi i Përgjithshëm Preferencial është program i miratimit të lehtësimeve tregtare, të cilat SHBA-të i bëjnë për partnerët e tyre afaristë, në mënyrë që të mbështesin zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve. Aktualisht programin e shfrytëzojnë më shumë se 140 vende. Në këtë listë do të përfshihet edhe Azerbajxhani, ndërsa Mauritania do të fshihet nga lista e këtyre vendeve për shkak të dështimit në aspektin e progresit në fushën e rregullave ligjore dhe në vendosjen e pluralizmit politik. Sipas informacioneve, bëhet fjalë për më shumë se 4 mijë produkte nga 131 shtete ose territore. Politikat e qeverisë amerikane për të mbështetur zhvillimin e këtyre vendeve i shkojnë përshtat diplomacisë së SHBA-ve, që i ka mbështetur dhe politikisht aspiratat e këtyre vendeve, siç ishte rasti i pavarësisë së Kosovës dhe ndarjen e saj përfundimtare nga Serbia.
Ndërkohë, Kosova po përjeton një bllokim të mallrave të saj në kufijtë me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Sipas mediave kosovare, këto dy vende u kanë bërë “bllok” produkteve të Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në doganat e Kosovës.