E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet për Botërorin 2014

Marcello Lippi dëshiron t’i rikthehet punës që di ta bëjë më së miri, atë të trajnerit. Italiani po planifikon që ta drejtojë një kombëtare, për të marrë pjesë në Botërorin 2014, i cili do të mbahet në Brazil.

Ish-trajneri i Juventusit e kishte udhëhequr Italinë drejt triumfit në Botërorin 2006, por pati një eksperiencë zhgënjyese pasi mori sërish Azzurrët, në Botërorin 2010.

“E kam bërë një vit pauzë, pauzë mentale. Tash dëshiroj ta filloj një projekt të ri, por nuk dua ta drejtoj ndonjë klub. E preferoj një kombëtare, një projekt që do ta ndërtoj për të qenë pjesë e një tjetër botërori, atij të Brazilit 2014. Në përgjithësi në jetë, në çfarëdo pune, ka ngritje dhe zbritje. Momente të mira dhe të këqija. Sa më përket mua, kam qenë me fat në karrierë dhe kam pasur mjaft sukses”, theksoi Lippi për ‘Aspire4Sport.

Lippi tregon se e kishte mundësinë të rikthehej në Juventus, por në fund nuk kishte asgjë konkrete. Ai e ka lavdëruar trajnerin aktual të Bianconerëve, Antonio Conte, i cili e ka nisur një cikël të ri në klub. “Juventusi nuk ka nevojë për mua, por raporti është aq i mirë, sa që, nëse një ditë më thërrasin, do të jem i gatshëm të ndihmoj”, përfundoi Lippi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›