E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet sherri PS-LSI, rrezikohet koalicioni i majtë

Nga L. Progni

PS e LSI i kthehen luftës politike të periudhës së parazgjedhjeve të 18 shkurtit 2007. Shkak i kësaj lufte është mungesa e bashkëpunimit ndërmjet dy partive për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Kjo pasi PS mori përsipër të përfaqësojë vetëm opozitën në këto dy reforma, pa marrë miratimin e partive të tjera të koalicionit të majtë.

Qysh prej kohës kur u arrit marrëveshja e bashkëpunimit për zgjedhjet e 18 shkurtit, krerët e dy partive kishin pushuar luftën politike, gjë e cila solli edhe fitoren e së majtës në këto zgjedhje. Krerët e LSI thonë se meritën për këtë fitore e ka pikërisht partia e tyre, ndërsa Rama, sipas tyre, kërkoi bashkëpunimin me LSI vetëm për t`i fituar këto zgjedhje, pasi ishte i bindur se nuk do të mund të fitonte pa një marrëveshje me LSI. Rreth një vit më vonë, kur “ethet” e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare kanë nisur të ndjehen për shkak të disa faktorëve që po diskutohen në kuadër të reformës zgjedhore, kanë nisur të shfaqen edhe elementet e para të luftës ndërmjet dy partive, për të qenë protagonistë të drejtimit të së majtës në Shqipëri.

Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore është edhe shkaku i nisjes së kësaj lufte. Partia Socialiste hartoi e vetme Rezolutën për Reformën në Drejtësi, më pas Paktin Kombëtar për Reformën në Drejtësi, si dhe platformën për reformën zgjedhore. Në këtë sipërmarrje, PS nuk është konsultuar për asnjë çast me aleatët e saj, në kuadrin e tryezës së opozitës, e cila funksionoi deri në zgjedhjet e 18 shkurtit dhe asnjë moment më pas. Krerët e LSI dhe të ndonjë partie tjetër të këtij koalicioni shfaqën pakënaqësitë që në momentin e parë, pasi PS paraqiti deklaratën pa asnjë konsultim me aleatët. Në këtë moment nisi një garë platformash ndërmjet PS dhe LSI, por mazhoranca demokrate, në këtë situatë ka zgjedhur socialistët për të bashkëpunuar, gjë e cila nxjerr jashtë loje LSI, krerët e së cilës tani po akuzojnë ashpër kryetarin e PS se po bën marrëveshje të pista me Berishën në kurriz të së majtës.


Deklarata


Nënkryetari i LSI, Dritan Prifti, tha dje se, nëse PS e PD nuk përfshijnë të gjitha partitë në kryerjen e reformës zgjedhore, atëherë LSI do të prishë marrëdhëniet me PS, duke dalë nga koalicioni opozitar. Prifti akuzoi dje socialistët se po shkatërrojnë koalicionin dhe sipas tij i janë rikthyer marrëveshjeve të pista me kryeministrin dhe liderin e mazhorancës, Sali Berisha. “Nëse Rama dhe Berisha duan të lajnë hesapet me njerëzit e forcave politike, ky nuk është problem i Shqipërisë. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë haraçin e kësaj politike. Nëse PS ka zgjedhur në mënyrë të njëanshme që tryeza e opozitës të mos funksionojë më, atëherë ne do ta nisim fushatën vetëm”, - tha dje Prifti. Ai u shpreh gjithashtu, se LSI do të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe se është në gjendje të jetë forca e parë politike e majtë në Shqipëri, pasi PS aktuale nuk mund të konsiderohet më përfaqësuese e të majtëve. “LSI mund të bëjë fushatë e vetme para të gjithëve. Jemi të bindur se kemi përkrahje shumë të madhe. Kemi mundësi të jemi forca e parë e të majtës”, - tha Prifti.

Ftesa e Koçit


Përkrah LSI është rreshtuar edhe drejtuesi i Lëvizjes për Politikë Institucionale në PS, Petro Koçi, i cili ka mbështetur ditët e fundit qëndrimet e Ilir Metës, ndërsa dje Koçi është pozicionuar plotësisht pro kreut të LSI, duke i bërë thirrje që Meta të bashkojë rreth LSI faktorët e së majtës së vërtetë, jashtë të cilëve, sipas Koçit, qëndron kryetari i PS, Edi Rama. Koçi theksoi dje në një deklaratë për shtyp, se Ilir Meta i LSI është shumë më tepër socialist sesa Edi Rama. Sipas Koçit, i takon Metës që të mbledhë faktorin e majtë për t’i bërë ballë procesit të shkatërrimit të së majtës, i nisur, sipas Koçit, prej kryetarit aktual të PS, Edi Rama. “Pozicionimi i ri i Ilir Metës ndaj çiftit politik Rama-Berisha përbën një zhvillim me shumë interes për të majtën dhe Lëvizjen Institucionale Socialiste. E majta ka nevojë për përfaqësim luajal dhe jo për demagogji dhe marketing fals. Politika e re e çiftit Rama -Berisha përbën një manovër të sponsorizuar të së djathtës ekonomike dhe një marrëveshje për ndarje të zonave të influencës dhe fitimeve financiare. Reforma zgjedhore dhe ajo e drejtësisë janë vetëm maja e ajsbergut të mirëkuptimit dhe lojës së përbashkët Rama-Berisha.

Shpresoj që Ilir Meta, i cili natyrisht është më socialist se Rama, t’i qëndrojë këtij pozicionimi të ri, duke kërkuar ndërkohë edhe bashkëpunim me faktorë të tjerë progresistë të së majtës”, - tha dje Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›